TIRANË-Po mbahet sot në 14 korrik në GJKKO procesi gjyqësor ndaj Amar Shkëmbit dhe Bledar Polovinës, të cilët akuzohen për përfshirje në atentatin e ndodhur në mbikalimin e Shkozetit, ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj. Gjykata ka pranuar kërkesën e avokatit për të marrë në pyetje ish-deputetin Halit Valteri. Në vitin 2019, kur edhe ndodhi atentati, Valteri bëri disa deklarata dhe ka publikuar pamjet.
Avokatët kanë pretenduar se ka mospërputhje në prova. Por SPAK ka shpjeguar se komunikimet në Sky Ecc janë të plota, në lidhje me atentatin e ndodhur. Në komunikime në Sky, Aamar Shkëmbi ka dhënë sugjerime se ku ishin vendet më të mira për të vrarë Rrumin e Shijakut.
Ndërkohë sipas SPAK, Bledar Polovina ka qenë personi që ka qëlluar i dyti gjatë atentatit. Në seancën e radhës, avokati mbrojtës Saimir Visha kërkoi shpalljen e pavlefshme dhe të papërdorshme të procesverbaleve të administruara në dosje.
Shkëmbi u ekstradua nga Dubai në 14 tetor 2025. Sipas urdhër-arrestit të lëshuar nga SPAK ndaj Amar Shkëmbit, ai së bashku me Plarent Dervishajn, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, kanë vepruar në vitin 2019 në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, duke kryer veprat penale të “Vjedhjes” kryer në formën e veçantë të bashkëpujnimit, “Mbajtjes pa lejë të armëve”, “Vrasjen e funksionarëve publikë” mbetur në tentativë, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, vepra këto të kryera në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Atentati ndodhi me 1 nëntor të vitit 2019, ndërsa Ndoja dhe shoferi i tij po udhëtonin në shoqërinë e Aleksandër Lahos, një personazh i krimit të organizuar, i shpallur në kërkim dhe i njohur përmes nofkës së tij “Rrumi”. Andi Maloku, shoferi i prokurorit Ndoja që me manovrat e tij i shpëtoi jetën ‘shefit’ gjatë atentatit të datës 1 nëntor, ndërroi jetë një javë pas ngjarjes në spitalin e Traumës. Maloku mori dy plumba, një në shtyllë kurrizore dhe një në kraharor teksa mundohej të nxirrte makinën nga rruga, ditën e që Ndoja u sulmua nga dy kallashnikovë pranë mbikalimit të Shkozetit. I plagosur mbeti edhe Rrumi i Shijakut, i cili ndodhej në të njëjtin automjet.