TIRANË- Rreth një muaj pas atentatit në Rinas, ku mbetën të vrarë Gilmand Dani dhe Muçi Shaljani, policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve, pavarësisht të shoqërimit të dhjetra personave që mund të kenë dijeni në lidhje me ngjarjen. Gjatë ditës së djeshme një person nga Fushë Kruja mësohet se është shoqëruar në ambientet e policisë, pasi dyshohet se mund të jetë në dijeni të atentatit, dhe personave që kanë qenë të implikuar në një prej ngjarjeve më të rënda që ka ndodhur në vitet e fundit në vendin tonë. Personi në fjalë, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, do të merret në pyetje, dhe deri tani nuk i është komunikuar asnjë akuzë.
Si ndodhi atentati i Rinasit
Gilmando Dani, mik dhe bashkëpunëtor i Emiljano Shullazit u ekzekutua mesditën e 11 nëntorit me breshëri plumbash pranë aeroportit 'Nënë Tereza', teksa i plagosur rëndë mbeti edhe miku i tij, që e shoqëronte Muçi Shaljani Sheqeri, agjent i AMP-së. Ky i fundit ndërroi jetë disa ditë më pas në spitalin e Traumës në Tiranë, si pasojë e plagëve të marra.
Ndaj automjetit të tyre 'Benz' u qëllua nga persona të paidentifikuar me një mjet tip “Toyota Yaris”, e cila u gjet e djegur pak minuta pas ngjarjes në Fushë Krujë. Autorët e maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjanin me ato të policisë, kanë qëlluar në drejtim të mjetit, duke e ndaluar atë në vend. Më pas, një prej autorëve ka zbritur nga makina, ka rimbushur armën dhe ka qëlluar sërish në drejtim të Gilmando Danit, i ulur në sediljen e pasagjerit.
Gilmando Dani sapo kishte mbërritur me mikun e tij në Shqipëri nga Barcelona, Spanjë. Të dy ishin nisur me avion drejt Barcelonës më 7 nëntor dhe kishin lënë makinën të parkuar në aeroport, ndërsa u kthyen nga Barcelona më 11 nëntor. Avioni me të cilin udhëtonte Dani zbriti në tokën shqiptare në orën 13:55, rreth 35 minuta para orarit të planifikuar. Atentati ka ndodhur 25 minuta më pas në rrethrrotullimin e Rinasi.
Që prej momenteve të para, aksioni i policisë u përqëndrua në zonën e Niklës dhe Fushë Krujës, nga dhe ku dyshohet se u larguan autorët. Disa ditë pas ngjarjes në një prej fshatrave të Fushë Krujës, në një banesë të braktisur u zbuluar një arsenal armësh, por deri në momentet që flasim nuk është bërë lidhja mes armëve të gjetura, dhe atentatit të Rinasit. /ZËRI

