KOSOVË- Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë. Pas 2 vjet e 7 muajsh nga sulmi, Vlladimir Tolliç, Bllagoje Spasojeviç janë dënuar me burgim të përjetshëm, kurse Dushan Maksimoviç u dënua me 30 vjet.
Tre të akuzuarit janë pjesë e një grupi prej 45 individëve, ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë rreth një vit pas sulmit në pjesën veriore të Kosovës, duke përfshirë këtu Millan Radoiçiçin, ish-nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, i cili në aktakuzë cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.
Gjykata vendosi ta veçonte procedurën penale ndaj Spasojeviçit, Tolliçit dhe Maksimoviçit, të cilët ndodhen në paraburgim nga shtatori i 2023-tës, kurse për 42 të tjerë refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për gjykim në mungesë.
Në shqyrtimin gjyqësor ndaj tyre, që nisi më 17 prill të vitit 2025, tre të pandehurit, Spasojeviç, Tollië dhe Maksimovië mohuan akuzat të cilat iu ngarkuan.
Spasojeviç, gjatë gjykimit, deklaroi se nuk kishte sulmuar askënd me eksplozivë apo me armatim të rëndë, dhe se nuk kishte vrarë apo lënduar njeri. Po ashtu, mohoi se kishte pasur qëllim shkëputjen e veriut të Kosovës dhe bashkimin e tij me Serbinë. Tolliç pranoi se kishte qenë në Banjskë më 24 shtator, por tha se motivi i pjesëmarrjes së tij nuk ishte ai që përshkruhet në aktakuzë.
Ai deklaroi se nuk kishte qëlluar askënd, dhe se nuk kishte pasur qasje në mjete eksplozive, duke shtuar se nuk mund t’i parashikonte zhvillimet dhe pasojat e ngjarjes, dhe se kishte qenë i plagosur rëndë, për çka kishte marrë trajtim mjekësor në Prishtinë.
Ndërkaq, Maksimoviç, i cili ishte punëtor i hotelit Rajska Banja, deklaroi se ditën e 24 shtatorit ishin mbledhur me shokë në një vikend-shtëpizë, për të pjekur mish në skarë.
Rreth orës 2 të mëngjesit të 24 shtatorit 2023 Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra efektivi Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij. Një patrullë e policisë së Kosovës, vuri re se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë, ishin vendosur si bllokadë dy kamionë pa targa, duke bllokuar në këtë mënyrë qarkullimin e mjeteve. Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët e policisë së Kosovës u përballën me rezistencë, ku nga disa pozicione të ndryshme ndaj tyre u qëllua me armë dhe me granata dore, e për pasojë humbi jetën Bunjaku./ZËRI