MIRDITË- Debatet për reformën territoriale kanë rikthyer në vëmendje diskutimet në Mirditë për rishikimin e kufijve administrativë. Kjo bashki i ka paraqitur komisionit përkatës propozimin për rikthimin në juridiksionin e saj të njësive vendore si Fushë-Arrëz, Lurë, Ulëz, Vau i Dejës dhe Ungrej, raporton Syri Tv.
Sipas Kryebashkiakut Albert Melyshi, janë banorët e këtyre rajoneve që kërkojnë ribashkimin me Mirditën, nga e cila u ndanë nga regjimi komunist në 1949. Ndërkohë në të njëjtën linjë ishin edhe intelektualët dhe përfaqësuesit e klerit që u bënë pjesë e takimit.
Në Mirditë është zhvilluar një tryezë e gjerë diskutimi për rishikimin e ndarjes territoriale dhe të ardhmen administrative të zonës. Në këtë takim, ku morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, ekspertë dhe anëtarë të komunitetit, u theksua nevoja për hartimin e një draft-propozimi të konsoliduar që synon forcimin e identitetit administrativ dhe përmirësimin e zhvillimit ekonomik të Mirditës.
Pjesëmarrësit nënvizuan se rishikimi i ndarjeve administrative është një proces i mundshëm ligjërisht në një shtet demokratik dhe duhet të bazohet në kritere funksionale, ekonomike, historike dhe identitare.
Në 1949 regjimi komunist në shenje hakmarrje, territorin e Mirditës e ndau, duke i hequr Fushë Arrëzin, që i kaloi Pukës, Ulzën që i kaloi Matit, Ungrejn që i kaloi Lezhës dhe Vaun e Dejës, që i kaloi Shkodrës, një rast i paprecedentë brenda territorit shqiptar. Pas 1990 në çdo reformë territorial mirditorët, kryesisht ata që mbeten jashtë kufijve të rrethit Mirditë, kanë kërkuar që kjo padrejtësi të rregullohet por kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër. Por edhe këtë herë ata i kërkojnë Komisionit të Reformës Territoriale, duke kërkuar që rajonet e mbetura jashtë të rikthehen në një njësi vendore, siç kanë qenë prej shekujsh. Në një kohë që krahinat e tjera, nuk kanë shprehur kurrë kundërshti për këtë kërkesë të mirditorëve, në një mbledhje në Bashkinë Mirditë, ku të pranishëm ishin intelektualë, ligjvënës, përfaqësues të klerit, sipërmarrës dhe gazetare, kreu i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi kërkoi që qeveria të marrë parasysh kërkesat e banorët e kësaj treve.
Dom Gjergj Meta kishte gjithashtu një kërkesë për këtë çështje
Pas përfundimit të takimeve dhe marrjes së opinioneve nga grupet e interesit në Mirditë dhe komunitetet që kanë qenë pjesë e kësaj krahine, kërkesat do t’i adresohen komisionit të reformës territoriale, me qëllim që të merren në konsideratë dhe te zbatohen tek ndarja e re territoriale./SyriTv