TIRANË- Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për dënimin me burg për ish-deputetin Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri. Çyrbja kërkonte pafajësi, ndërkohë që në Shkallën e Parë ish-deputeti u dënua nga GJKKO me 3 vite burg, dënim që u reduktua në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.
GJKKO vendosi gjithashtu dënimin e Altin Hajrit me 3 vjet burg, ndërsa për të pandehurin tjetër, Ahmet Masha u caktua një dënim prej 2 vitesh e 6 muaj burg.
Ish-deputeti socialist, Jurgis Çyrbja, u lirua nga burgu më 20 shkurt të këtij viti, pasi ka përfunduar dënimin e 16 muajve me kohën e paraburgimit.
Çyrbja u dënua nga GJKKO me 3 vite burgim, ndërsa pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i tij u reduktua në 2 vite burg. Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja, u arrestua me urdhër të SPAK mbrëmjen e 20 tetorit 2024. Bashkë me të u arrestua edhe kunati i tij, Ahmet Masha. SPAK përfundoi hetimet më 15 korrik 2025 dhe dërgoi për gjykim Jurgis Çyrbjan, Ahmet Mashën dhe Altin Hajrin.
Ish-deputeti sipas hetimit ka strehuar Altin Hajrin dhe e ka ndihmuar me informacione për goditjet e Policisë. Hajri rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas hetimit, ka rezultuar e provuar se Jurgis Çyrbja, Altin Hajri dhe Ahmet Masha kanë koordinuar aktivitete të ndryshme kriminale përmes komunikimeve në “Sky ECC” dhe “Matrix”.
Janë faktuar 8 episode gjatë periudhës 1 Maj 2020 deri më 8 Mars 2021. Të akuzuarit janë vënë në dijeni të të dhënave në sistemin “TIMS”, mbi një person të shpallur në kërkim, si edhe të disa informacioneve sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, deklaronte SPAK./ZËRI