TEPELENË- Ngjarja që tronditi Tepelenën, ku biznesmeni italian Edoardo Sarchi mbeti i vrarë, rikthen në vëmendje dy incidente të rënda të ndodhur vite më parë. Bëhet fjalë për përfshirjen e "mikut" të italianit, Eqerem Braçi, në plagosjen e shtetasve Klodian dhe Besnik Aliaj në vitin 2014, kohë kur ai mbante postin e nënkryetarit të Komunës Levan.
Për këtë ngjarje, ai u lirua nga burgu nga gjyqtari Engert Pëllumbi, i cili sot ushtron funksionin e gjyqtarit të Apelit në GJKKO. Në atë kohë, Eqerem Braçi u shtrua në spital si i sëmurë me probleme diabeti, duke i shpëtuar qëndrimit në burg. Një vit më vonë, në vitin 2015, Braçi u emërua drejtor i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë. Që nga ajo kohë dhe deri në ngjarjen e sotme, Eqerem Braçi vijoi karrierën si politikan dhe biznesmen.
E shkuara e tij kriminale nuk mbyllet në vitin 2014!
Në gusht të vitit 2019, ai u përfshi sërish në një ngjarje të rëndë në Fier, së bashku me dy djemtë e tij, Gazment dhe Daniel Braçi, ku mbetën të plagosur disa persona.
Ngjarja ndodhi në një lokal në fshatin Levan, ku pas një sherri banal, Gazment Braçi dhunoi tre vëllezërit Zhapaj dhe një tjetër person. Konflikti u zhvendos më pas në spitalin e Fierit, ku Daniel Braçi i mori armën nga brezi një polici, Arjan Mema, dhe qëlloi ndaj Aleksandër Zhapës, me të cilin kishin pasur përplasje më herët. Përveç marrjes së armës, Eqeremi dhe djali tjetër e dhunuan fizikisht oficerin e policisë. Edhe në vitin 2019, Braçi i shpëtoi drejtësisë, duke u shtruar në spital për probleme me tensionin e lartë dhe u përjashtua nga përgjegjësia penale.
Sot, Eqerem Braçi së bashku me dy djemtë e tij janë të dyshuarit kryesorë për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi. Por këtë herë... a do t’i shpëtojë sërish drejtësisë?/ZËRI