DURRËS- Dega e Doganës Durrës ka bllokuar mbi 7.6 tonë produkte ushqimore të skaduara. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bën me dije se gjatë kontrollit në një subjekt tregtar, u konstatuan dhe sekuestruan 2.500 kg miell orizi dhe 5.150 kg miell për pica.
Në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, strukturat doganore kanë nisur procedurat përkatëse deri në asgjësimin e plotë të mallit, teksa Drejtoria e Doganave thekson angazhimin për garantimin e sigurisë ushqimore.
Njoftimi i plotë:
Dega e Doganës Durrës, gjatë kontrollit fizik në ambjentet e një subjekti tregtar, i pajisur me autorizim për përdorimin e Regjimit të Përpunimit Aktiv, ka bllokuar mallra që u kishte kaluar afati i përdorimit, referuar datës së skadencës.
Nga punonjësit e doganës është bllokuar sasia 2.500 kg miell orizi, me datë skadence 01.04.2025 dhe sasia 5.150 kg miell për pica, me datë skadence 07.04.2025. Dogana e Durrësit ka nisur procedurat, në bashkëpunim me strukturat e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, në parashikim të kompetencave përkatëse, deri në asgjesimin e mallit.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave shpreh angazhimin maksimal për zbatimin e ligjshmërisë dhe nxit operatorët ekonomikë për respektimin e detyrimeve për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së shtetasve.