Aktualitet

Tre vëllezërit Prekaj 'kokat' e mashtrimit me call centera, burg për punonjësin italianin: S’kisha dijeni, jam i sëmurë

Notaristefano parashtroi në gjykatë se vuan nga probleme të shumta shëndetësore dhe kërkoi çdo masë tjetër, përfshirë vënien e garancisë pasurore, përveç arrestit në burg.

F.I
Tre vëllezërit Prekaj 'kokat' e mashtrimit me call centera,
pamje nga operacioni

TIRANË-Gjykata e Posaçme Antikorrupsion la në fuqi masën “arrest në burg” për italianin Cosimo Notaristefano, që u arrestua në kuadër të aksionit të SPAK kundër call center-ave të dyshuar për mashtrime financiare, në kullën “Atti Tower” në Tiranë. Shtetasi italian u arrestua një ditë më parë në Portin e Durrësit teksa po largohej drejt Italisë. 

Notaristefano tha se ka qenë i punësuar dhe se nuk kishte dijeni për skemën që pretendon SPAK. Ai u shpreh se bënte shërbim teknik, dhe se nuk ka patur funksion mbi investimet që bënin shtetasit e huaj. Notaristefano parashtroi në gjykatë se vuan nga probleme të shumta shëndetësore dhe kërkoi çdo masë tjetër, përfshirë vënien e garancisë pasurore, përveç arrestit në burg. Italiani tha se nuk ishte në dijeni që ndodhej në kërkim dhe ishte nisur të shkonte në vendin e tij, siç bën një herë në dy muaj. 

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 6 persona të përfshirë në këtë aktivitet të dyshuar kriminal.

Ndërsa janë shpallur në kërkim 3 vëllezërit Alfred, Agim dhe Arjan Prekaj, të cilët janë në fokus të operacionit të madh të SPAK-ut dhe BKH-së. Njëri prej tyre, Alfred Prekaj rezulton pronar i kompanisë “Balkanspro” me objekt Call Center, Telemarketing. 

Hetimi ka nisur më 9 janar 2026, pasi gazetarë italianë të emisionit Le Iene, që transmetohet në Mediaset, dorëzuan prova të mbledhura gjatë investigimit të tyre. Të arrestuarit u kapën në flagrancë teksa transportonin një kosh mbeturinash, i cili përmbante sende të dyshuara të marra nga Qendra e Thirrjeve në rrugën “Ibrahim Rugova”, në kullën “Atti Tower”, ku ndodheshin zyrat qëndrore, me qëllim asgjësimin. Punonjësit e arrestuar, mbrëmjen e 15 janarit 2026, pas dyshimeve për një ndërhyrje të mundshme, ambientet e Call Center-it në “Atti Tower” boshatisën zyrtat dhe pajisjet po i vendosnin në një tjetër ambjent të marrë me qera në një tjetër godinë. Gjatë kontrolleve në zyrën e marrë me qera u gjetën pajisje kompjuterike, telefona, hard disqe, laptopë, karta të ndryshme SIM, dokumente, blloqe me shënime./ZËRI

Poll

MOS HUMB