DURRËS- Dy ditë pas denoncimit të familjarëve për zhdukjen e tre të miturve në Durrës, policia ka bërë të ditur se ata janë gjetur në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Durrësit, të miturit e moshave 15 dhe 17-vjeç janë lokalizuar pas kërkimeve, ndërsa gjatë marrjes në pyetje në prani të psikologut kanë deklaruar se janë larguar nga banesat me dëshirë. Ata nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme lidhur me arsyet apo rrethanat e largimit.
"Në vijim të informacionit të dhënë mbi largimet nga banesat, të 3 të miturve të moshave 15 dhe 17 vjeç, bëjmë me dije se të tre u gjetën, në gjendje të mirë shëndetësore. Të tre deklaruan se ishin larguar nga banesat, me dëshirë. Materialet procedurale për këtë rast, iu referuan Prokurorisë, për vlerësim.", thuhet në njoftimin e policisë.
Rasti u denoncua dy ditë më parë nga nënat e të miturve, të cilat njoftuan policinë se fëmijët e tyre ishin larguar nga banesa.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, pasi kanë kallëzuar shtetaset Z. K., M. N., dhe H. L., se janë larguar nga banesa 3 fëmijët e tyre, të moshave 15 dhe 17 vjeç”, thuhej në njoftimin e datës 27 prill për humbjen e fëmijëve./ZËRI
