TIRANË- Raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ka zbuluar një krizë serioze në trajtimin e pacientëve me tumor në Shqipëri, duke hedhur dritë mbi një sërë shkeljesh dhe neglizhencash institucionale që vënë në rrezik jetën e mijëra qytetarëve.
Sipas raportit, nga 253 barna antitumorale të autorizuara për tregtim në vend, 116 prej tyre, ose 46%, nuk janë importuar asnjëherë gjatë periudhës janar 2021 deri në mars 2025, thuajse gjysma e ilaçeve të listuara si të vlefshme për përdorim në luftën kundër kancerit nuk kanë qenë asnjëherë të aksesueshme për pacientët shqiptarë.
Situata rëndohet edhe më shumë nga fakti se për 39 prej këtyre barnave, të përfshira në listën e rimbursueshme për vitin 2024, Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor nuk ka lidhur asnjë kontratë me importues, duke e bërë praktikisht të pamundur sigurimin e tyre nga spitalet publike.
Në të njëjtën kohë, raporti evidenton praninë në sistemin elektronik të barnave të skaduara, të cilat ndonëse nuk shpërndahen, vijojnë të figurojnë si pjesë e stokut aktiv. Konkretisht, medikamentet Ifosfamide dhe Methotrexate, të cilat kanë dalë jashtë afatit të përdorimit, rezultojnë ende në gjendje në sistemin “Pentaho”, duke krijuar një panoramë artificiale të furnizimit dhe duke penguar procesin normal të furnizimeve të reja. Kjo gjendje ka çuar në mosbërjen e kërkesave për furnizim të ri nga QSUNT, duke rritur rrezikun për mungesë kritike të barnave thelbësore.
Një tjetër problematikë e theksuar është mospërputhja e datave të skadencës të regjistruara në sistem me ato reale të barnave të magazinuara. Gjatë auditimit, u zbulua se në disa raste data e skadencës në sistem ishte më e vonë se ajo reale, si në rastin e një medikamenti ku në sistem figuron 31 mars 2027, ndërsa fizikisht data reale ishte 9 shtator 2026. Kjo mospërputhje është pasojë e mosrespektimit të parimit të shpërndarjes sipas afatit më të afërt të skadencës (FIFO), çka mund të çojë në shpërndarje të barnave të skaduara apo afër skadencës pa kontrollin e duhur.
Situata bëhet akoma më alarmante kur bëhet fjalë për fëmijët e prekur nga tumoret. Gjatë viteve 2020–2024, shumë prej tyre janë detyruar të kërkojnë trajtim jashtë vendit ose të sigurojnë medikamentet jetësore privatisht. Në një rast, një pacient është trajtuar në Itali dhe është rikthyer për ndjekje në QSUNT, ndërsa në 11 raste të tjera, 4 fëmijë nuk kanë marrë fare medikamentin Actinomycin D, 5 janë trajtuar me medikament të siguruar privatisht dhe 2 janë ndjekur me një protokoll alternativ (VAC), që nuk përfshinte medikamentin bazë të nevojshëm.
Nga ana tjetër, edhe buxheti i akorduar për barnat nuk i përgjigjet nevojave reale të pacientëve. Sipas KLSH-së, buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe ai i QSUNT nuk reflekton kërkesat jetike të të sëmurëve, por është projektuar vetëm për të respektuar “tavanet” financiare. Në periudhën 2021-2024 janë regjistruar 49 raste vonesash të pajustifikuara në furnizim nga importuesit farmaceutikë, ndërsa FSDKSH ka marrë masa administrative vetëm në dy prej tyre. Nëse do të ishin zbatuar penalitetet për të gjitha rastet, vlera totale e gjobave do të shkonte në afro 49 milionë lekë.
Raporti ngre alarmin edhe për mungesën e transparencës dhe saktësisë në dokumentacionin farmaceutik. Janë identifikuar receta të dublikuara, shkarkime barnash për pacientë të gabuar, mungesë shënimesh të plota dhe kërkesa të përsëritura për të njëjtin pacient pa u përmbushur. Në disa raste, në sistem figuronte gjendje pozitive barnash, ndërkohë që inventari real ishte zero, duke krijuar konfuzion dhe pasigurin në menaxhimin e terapisë për pacientët./ZËRI