Aktualitet

U dhunua nga eksponenti i PD/ Komisioneri i PS: Kështu ka bërë në çdo zgjedhje! Gruaja: E goditën djalin me arka

Tollozhina ka goditur Gegën, duke e lënë të gjakosur, si dhe ka fyer një qytetare e cila ndodhej në ambientet e qendrës së votimit në momentin e ngjarjes.

F.I
U dhunua nga eksponenti i PD/ Komisioneri i PS: Kështu ka bërë
Enton Gega

POGRADEC-Një incident i rëndë është shënuar në qendrën e votimit nr. 3901 në Pogradec, ku eksponenti i Partisë Demokratike, Luan Tollozhina, ka sulmuar fizikisht komisionerin e Partisë Socialiste, Enton Gega. Sipas raportimeve, Tollozhina ka goditur Gegën, duke e lënë të gjakosur, si dhe ka fyer një qytetare e cila ndodhej në ambientet e qendrës së votimit në momentin e ngjarjes.

Në pranga është vendosur eksponenti i Partisë Demokratike, Luan Tollozhina, 63 vjeç. Tollozhina ka dhunuar komisionerin e Partisë Socialiste, Enton Gega, pasi ky i fundit ka patur një debat me vajzën e tij, e cila është edhe kryetarja e komisionit të kësaj qendre votimi. Policia njofton se vajza e komisionerit të PS ka pasur një debat me anëtarin e komisionit të PD në lidhje me votimin e personave me aftësi ndryshe.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 10:20, shtetasi E. G., që është komisioner në qendrën e votimit nr.3901/00 Pogradec, ka njoftuar tek salla operative, se brenda ambienteve të qendrës së votimit është goditur nga shtetasi L. T., Menjëherë është shkuar në afërsi të qendrës së votimit, dhe është bërë shoqërimi i shtetasit L. T., për në ambientet Komisariatit. Në Komisariat është paraqitur dhe shtetasi E. G., për të bërë kallëzim. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.

Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore në DVP Korçë, në drejtimin e Prokurorisë së Korçë, arrestuan në flagrancë për veprën penale "Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve ne zgjedhje" dhe "Goditjet për shkak të detyrës", parashikuar nga neni 329/2 dhe 237 K penal, ndaj shtetasin L. T, 63 vjeç, banues në Pogradec.

Arrestimi i tij u bë, pasi më datën 11.05.2025, rreth orës 10.30, ky shtetas ka hyre në QV Nr.3901 në Pogradec, dhe ka goditur duke i shkaktuar dëmtime fizike, shtetasin E.G 52 vjeç (me detyrë anëtar komisioni i forcës politike Partia Socialiste e Shqipërisë) në këtë qendër votimi.

Ky shtetas e ka goditur për shkak se kryetarja e komisionit të kësaj qendre votimi, (e bija e shtetasit L.T) ka pasur një debat me anëtarin e komisionit shtetasin E. G., në lidhje me votimin e personave me aftësi ndryshe, të moshuar etj, që të votojnë ose jo me shoqërues. Materiale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.

Situata është rënduar edhe më tej, pasi nipërit e Luan Tollozhina, kanë shkuar në banesën e Entin Gegës, dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe djalit të tij. Djali i 52-vjeçarit po merr mjekim në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa bashkëshortja e tij ndodhet në ambientet e Komisariatit.

Vetë komisioneri i Partisë Socialiste, Enton Gega ka njoftuar se ka bërë kallëzimin në Polici dhe është shprehur se kjo situatë ka qenë në çdo zgjedhje. Sipas tij Luan Tollozhina ka ofenduar dhe ushtruar dhunë gjithmonë në proceset zgjedhore.

"Ishte kryetarja një çupë, në fillim i lamë të votonin dhe në trajnim kështu na thanë që do ti lini të votojnë (personat me aftësi ndryshe). I thashë unë duan të vijnë të votojnë, si nuk i le, ai e ka ndarë mendjen për kë do votojë. Ajo siç erdhi shkruante atje ai vjen e më thotë mua pse më ngacmove vajzën. Më shau dhe më goditi në vesh. E kam kallëzuar në polici. Në çdo zgjedhje kështu ka bërë gjithmonë, të njëjtën gjë. Dolëm këtu jashtë prap më shau dhe më ofendoi nga nëna. Atë e njohin nga mamaja mua më njohin nga babai,"-u shpreh ai.

Edhe Suela Gega, bashkëshortja e Enton Gegës, tregoi se u përballën me një pritë nga 4-5 persona.

“Godisnin djalin me arka, unë të mbroja djalin më sulmuan edhe mua. Po mbroja djalin e haja unë, se është me këmbë të thyer”, tha Suela Gega.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 13:00, në Pogradec shtetasit R. T., dhe E. M., D. M., (nipërit e shtetasit të arrestuar L. T.), pas konfliktit të ndodhur në qendrën e votimit nr. 3901, kanë shkuar në banesën e shtetasit E. G., 52 vjeç, (komisioner i kësaj qendre votimi), dhe kanë goditur familjarët e 52-vjeçarit (bashkëshorten dhe djali).

Djali i 52-vjeçarit po merr mjekim në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa bashkëshortja e 52 vjeçarit ndodhet në ambientet e Komisariatit për të dhënë kallëzim.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe kapjen dhe shoqërimin e këtyre shtetasve./ZËRI

Poll

MOS HUMB