
TIRANË- Tensione në KZAZ nr. 40, në shkollën "Sami Frashëri", fletët e votimit janë kërkuar që të shpallen të pavlefshme. Nga ajo që mësohet deri më tani, 6 fletë votimi të Partisë Mundësia po tentohen të shpallen të pavlefshme. Kjo për shkak se edhe pse janë me dy vulat e komisionit të votimit, arsyeja është se fletët kanë ngjyrë të zbehtë, ndryshe nga ajo e fletëve të tjera. Kaq ka mjaftuar për të nisur një konflikt në sallën e numërimit!
Në momentin kur u kërkua ndalimi i numërimit, Policia e Shtetit ndërhyri për të nxjerrë jashtë vëzhguesit e Partisë “Mundësia” dhe median duke lënë brenda vetëm Agron Shehajn dhe Belind Këlliçin. Shehaj akuzoi Policinë për përpjekje për të nxjerrë jashtë vëzhguesit e autorizuar të kësaj force politike, duke e cilësuar veprimin si të paligjshëm.
“Na tregoni urdhrin që nuk lejon vëzhguesit brenda. Vëzhguesit tanë janë të autorizuar dhe kanë të drejtën ligjore të jenë këtu. Duhet të na tërhiqni zvarrë nëse doni të na nxirrni nga këtu. Po na vidhen votat. Ne jemi vëzhgues dhe kërkojmë vetëm një të drejtë që na takon ligjërisht. Nëse shohim padrejtësi, kemi të drejtë ta sinjalizojmë. Nuk po kërkojmë asnjë privilegj, nuk po kërkojmë qiqra në hell. Kush është i paautorizuar? Ne jemi kandidatë!,”- deklaroi Agron Shehaj para mediave dhe autoriteteve.
Më pas, u përplas edhe me anëtarët e KZAZ-së.
Agron Shehaj: Po kërkojnë të manipulojnë votat tona. Nuk in tregojnë. Vjen polici thotë duhet të dilni jashtë. Keni dhënë urdhër të na largoni të gjithëve jashtë (i drejtohet kryetarit të KZAZ)?
Sekretari i KZAZ: Jo të gjithë, personat problematikë. Fletët e votimit i përkisnin Partisë Mundësia. Ishin fillimisht 7 fleta, por 3 fleta më pas u konsideruan të pavlefshme. Nuk është se humbasin, ato do i dërgohen KQZ për verifikim.
Agron Shehaj: Ju nuk mund të bëni çfarë të doni. Sqaroni vëzhguesit se përse nuk quhen.
Sekretari i KZAZ: U mor vendimi se numëruesit u ndjen të kërcënuar duke u ardhur sipër tavolinave.
Agron Shehaj: Ata kërkuan të fotografonin votat. Ju po vjedhni vota.
Sekretari i KZAZ: Jo unë nuk po vjedh vota. Kjo është akuzë shumë e rëndë. Mund t’i drejtohesh organeve kompetente.
Agron Shehaj: Po ku ta dimë ne se tavolinat janë të mbyllura?
Sekretari i KZAZ: Asnjë kuti nuk do të preket apo të numërohet. Do qëndrojë tavolina siç është.
Agron Shehaj: Mund ti shikojmë 7 votata që i quani të pavlefshme?
Kryetarja: Atë e vendosin grupet e numërimit. Votat tuaja janë aty.
Agron Shehaj: Jo nuk janë aty, i keni quajtur të pavlefshme.
Kryetarja: Ju lutem, a mund ta vazhdojmë procesin normalisht?
Gazetari: Po ku është garancia që procesi do të vazhdojë nëse dalim jashtë?
Kryetarja: Po edhe nuk mund të dalin, mjafton të ulen qetësisht në vendet e tyre.
Lidhur me ngjarjen ka folur dhe kandidati i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ku tha se janë shpallur të pavlefshme 7 vota të subjektit të tij pa asnjë shpjegim ligjor.
“Kaluan votat në skaner, u numëruan, kur papritur 7 vota të Mundësisë u shpallën të pavlefshme, pa thënë arsye. Pastaj thanë do i bëjmë 3 dhe më pas pretenduan se ngjyra e fletës ishte e zbehtë. Këto fletë nuk iu treguan vëzhguesve tanë sipas rregullave,”-tha Kapri. Ai shtoi se është thirrur policia dhe se situata është raportuar te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Komisioneri Shtetëror Ilirjan Celibashi si dhe misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR./ZËRI