TIRANË-Një tjetër call center u godit në Tiranë, ku në rrjetë ishin shtetasit francezë. Në krye të këtij aktiviteti rezulton Gentjan Pjetërgjokaj, i cili në bashkëpunim me shtetas të tjerë mashtronin qytetarët përmes investimeve në kriptomonedha dhe operonte përmes shoqërisë “UNIVERSAL TRADE”.
Viktimat kontaktoheshin nga agjentë me identitete të rreme franceze, të cilët i udhëzonin qyetarët francezë të investonin në kriptomonedha, përmes platformës https://universaltrade.io, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK. Në këtë aktivitet dyshohet të jenë përfshirë edhe August Berberi, E. Sh., B. Z. dhe F. B., të cilët mendohet se kanë ndihmuar në hapjen e portofoleve të kriptovalutave dhe në qarkullimin e parave.
Pjetërgjokaj ka qenë personi kryesor i përfshirë në hapjen e portofoleve të kriptovalutave, i cili ka bërë edhe transferimin e fondeve të viktimave. Gjatë operacionit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ndaloi edhe një punonjës policie, August Berberi, me detyrë në Komisariatin nr. 1. Atij i është marrë telefoni si dhe është kryer kontroll në banesën e tij nga agjentët e BKH-së dhe AMP-së.
Dëmi i shkaktuar katër shtetasve francezë është në vlerën e 845,400 euro, ndërsa ndaj 9 kallëzuesve të tjerë, dëmi ka arritur shifrën e 1.1 milionë eurove për periudhën shkurt 2023 – maj 2023.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar pajisje kompjuterike, telefona celularë, pajisje ruajtëse të të dhënave, katër portofole kriptovalutash “cold wallet”, një automjet luksoz, dokumente të ndryshme, vula subjektesh, dokumente identifikimi të dyshuara si të falsifikuara, si dhe shuma parash në valuta të ndryshme me vlerë rreth 5 milionë lekë. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, ndërsa operacioni u realizua me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.