TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku një sasi tritoli shpërtheu në pjesën e jashtme të një marketi në rrugën “Ramazan Gaxherri”, në Tiranë.
Tritoli është vendosur në marketin në pronësi të shtetasit Lulëzim Lika, babai i Aldo dhe Ali Lika, të shpallur në kërkim për atentatin ndaj Kejdi Spajës, ku mbeti i plagosur polici Anxhelo Kumaraku, ngjarje e ndodhur më 18 maj. Ngjitur me marketin ndodhet edhe një lokal i cili është në pronësi të vëllait tjetër të Likëve.
Ngjarja dyshohet të jetë hakmarrje e atentatit të 18 majit. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rreth zonës, ka rezultuar se autor i tritolit është një person ende i paidentifikuar, i cili ka qenë i maskuar. Ai është afruar me shpejtësi pranë biznesit, ka lënë një sasi të vogël lënde plasëse te motori i kondicionerit, pranë derës dhe më pas është larguar menjëherë./ZËRI


