TIRANË-Java në vend u shoqërua me debate dhe takime të rëndësishme politike.
Kryeministri i vendit, Edi Rama, zhvilloi vizita zyrtare në Greqi dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Rama mori pjesë në Forumin Ekonomik Vjetor Delphi dhe organizoi një vizitë zyrtare kokë më kokë me homologun e tij, Mitsotakis. Pas takimit, Rama njoftoi se po punon me Mitsotakis për të zgjidhur çështjet e mbetura mes dy vendeve, duke shtuar se këtë vit të dy palët do të dalin me një marrëveshje të re partneriteti.
Në Forumin Ekonomik, Rama u pyet edhe për Fredi Belerin dhe prishjen e marrëdhënieve me Greqinë. Ai pranoi se situata krijoi vështirësi, por theksoi se raste të tilla nuk duhet të ndikojnë në marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-Greqi.
Ndërsa në Emiratet e Bashkuara Arabe, ai u prit nga presidenti Muhamed bin Zajed. Vizita e tij ishte në mbështetje vëllazërore, siç e cilësoi edhe Rama, në një kohë kur në Lindjen e Mesme po zhvillohen tensione.
Ndërkohë, të enjten u mbajt seanca parlamentare, në të cilën u zhvilluan 6 interpelanca. Deputetët e opozitës zhvilluan interpelanca me Ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, dhe me Ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro. Tre interpelanca opozita i kishte me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala.
Deputeti demokrat Klevis Balliu ngriti akuza se kompania shtetërore "KAYO” po përdoret për aferat korruptive. Nga ana tjetër, Ermal Nufi hodhi poshtë këto pretendime, duke theksuar se "KAYO" është një kompani e cila po bashkëpunon me kompanitë private në industrinë ushtarake. Ndërsa ministrja e Shëndetësisë Evis Sala mohoi pretendimet për barna të skaduara dhe mungesë ilaçesh, duke theksuar se në QSUT nuk ka mungesa dhe se çmimet nuk janë rritur.
Teksa po zhvillohej Kuvendi, u njoftua ndarja nga jeta e akademikut të njohur Rexhep Qosja, në moshën 89-vjeçare. Pas këtij lajmi të trishtë, kryetari i grupit socialist, Taulant Balla, kërkoi që në parlament të mbahej një minut heshtje në nder të tij. Të premten, avokati i përgjithshëm i Gjykatës Europiane të Drejtësisë dha lajmin se BE-ja e konsideron marrëveshjen Rama-Meloni për qendrat e migrantëve në përputhje me rregullat, por me kusht që të respektohen të drejtat e tyre.
Gjatë kësaj jave opozita njoftoi protestën e radhës. Kreu i PD-së, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp lajmëroi se protesta e radhës e opozitës do të mbahet më 8 maj.
Java u mbyll me lajmin se Edi Rama ditën e hënë do të mbledhë grupin parlamentar të PS-së në Pallatin e Brigadave, ku në fokus të diskutimeve do të jenë integrimi europian dhe raporti për Kapitullin 24 ku përfshihet: Siguria, Liria dhe Drejtësia./ZËRI