TIRANË-'Zjarr, Call Center dhe drogë'-këto ishin tre fjalët që dominuan javën që po lemë pas. Ditë aksioni… me luftën e zjarrfikësve mes flakëve që shkrumbuan pallatin e kompleksit 'Arlis', efektivë që ‘mësynë’ në godinat e call centerave në Tiranë dhe grupi kriminal i trafikut të drogës ‘Pepa’ në ‘rrjetën’ e SPAK. Ajo që pasoi…trishtimi i banorëve në qiell të hapur, mashtrim me miliona euro, arrestime e të shpallur në kërkim.
13 prill-Zjarri ‘përpin’ pallatin në Tiranë
Java filloi me një zjarr të frikshëm në një pallat 12-katësh te kompleksi ‘Arlis’ te Farmacia 10, ku pamjet apokaliptike të flakëve dhe trishtimi i banorëve teksa shikonin të humbinin mundin e një jete ishin raportimet e ditës së hënë. Rreth 30 apartamente u shkrumbuan nga zjarri, ndërsa 11 persona pësuan djegie të lehta e asfiksi. Shkaku i zjarrit dyshohet të jetë djegia e kartonave në pjesën e pasme të një marketi, aty ky nisën flakët në fillim.
Lidhur me ngjarjen është shpallur në kërkim ndërtuesi i komplekstit "Arlis", Armando Lilo. Menaxherja e marketit në afërsi të të cilit dyshohet se ndodhi zjarri, administratori i pallatit, Agron Cara, inxhinieri i kompanisë Arlis, Enver Admi dhe kontraktori që ka bërë fasadën e pallatit, Altin Furtuna po hetohen në gjendje të lire.
Shpresa që mbetet pas flakëve!
Kompania ‘Arlis’ ka njoftuar se do të rindërtojë plotësisht apartamentet e djegura. Edhe kryeministri Edi Rama deklaroi se do të rindërtohet 100% nga kompania. Ndërkohë zv.kryeministrja Albana Koçiu ka siguruar banorët se do të marrin bonus qiraje dhe do të përkrahen derisa pallati të rikthehet si më parë.
Në mbrëmje të 13 prillit, Policia ‘troket’ në dyert e call centerave, 50 milionë euro mashtrim
Forca të shumta policie ndërmorën një aksion për goditjen e tre call center-ave të paligjshëm. Aksioni u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe policinë, ku rastet u zbuluan falë gjurmimit të disa punonjësve me pajisjen IMSI Catcher. Grupet që operonin në këto call centera u kanë shkaktuar viktimave humbje që dyshohet se tejkalojnë 50 milionë euro.
Goditja e pikave të call centerave është vetëm një ‘nga hallkat’ e një mekanizmi që ka mbajtur në këmbë një industri mashtrimi.
Mesi i javës gjeti edhe SPAK në aksion, "shkundet" grupi i Jetmir Pepës
7.5 ton kokainë nga Amerika Latine drejt Europës, në 8 episode, 232 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të sekuestruara, ky ishte bilanci i goditjes së rrjetit, i cili në krye kishte Jetmir Pepën. Nga 11 urdhër arreste, Lulzim Pepaj, Florian Marku dhe Anton Kola përfunduan në pranga. Në disa prej episodeve, kokaina është fshehur në kontejnerë me produkte ushqimore, si fruta të ngrira, peshk dhe banane, për të shmangur kontrollet doganore. Mir Pepa, një emër i njohur për blutë ndodhet ende në arrati.
Ashtu si nisi edhe u mbyll! Në prag fundjave 17 prill, një tjetër qendër e dyshuar mashtrimi në formë call centeri është zbuluar sot në Tiranë, në kuadër të operacioneve kundër krimit kompjuterik. Ambienti rezultonte i regjistruar si biznes në fushën e turizmit mjekësor, çka dyshohet se përdorej si mbulesë për aktivitetin e paligjshëm. ‘Peshku i madh’ në këtë rast është shtetasi F.K, identiteti dhe veprimataria e të cilit pritet të zbardhet në vijim.
Një pallat i shkrumbuar në pritje për rindërtim dhe aksione e hetime komplekse për të goditur krimin dhe zhvatjen…kështu u mbyll panorama e javës!/ZËRI