Aktualitet

"Jeton përgjithmonë në zemrat tona", shokët dhe shoqet e klasës kujtojnë 15 vjeçaren që humbi jetën tragjikisht me familjen në Itali

Xhesika ishte nxënëse e shkollës së mesme të ulët në Camigliano dhe humbja e saj ka tronditur thellë komunitetin e asaj zone, po ashtu edhe shokët dhe shoqet e saj të shkollës.

l.k
"Jeton përgjithmonë në zemrat tona", shokët dhe
Foto e marrë nga mediat italiane

“Xhesika jeton përgjithmonë në zemrat tona”, “Na mungon tashmë”, “Shkëlqeje dhe do të shkëlqesh”. Me këto mesazhe shokët e shkollës kujtojnë 15-vjeçaren Xhesika Kola me origjinë shqiptare që humbi jetën së bashku me prindërit Arti dhe Jonida Kola dhe vëllain Hajdar, pas një rrjedhjeje gazi në banesën e familjes në Porcari të Italisë.

Xhesika ishte nxënëse e shkollës së mesme të ulët në Camigliano dhe humbja e saj ka tronditur thellë komunitetin e asaj zone, po ashtu edhe shokët dhe shoqet e saj të shkollës. Shkolla ka aktivizuar mbështetje psikologjike për nxënësit e klasës së Xhesikës, ndërsa të rinjtë dhe prindërit u mblodhën në një vigjilje spontane për të kujtuar familjen Kola.

Prokuroria e Luçës ka hapur një dosje për vrasje të shumëfishtë nga pakujdesia. Banesa mbetet nën sekuestrim dhe hetimet janë në vijim për të zbardhur shkaqet e tragjedisë.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 4 shkurtit në Itali, ku katër anëtarë të familjes Kola, babai Arti 48 vjeç, nëna Jonida 43 vjeçe dhe dy fëmijët, Hajdari 22 dhe 15 vjeç humbën tragjikisht jetën si pasojë e rrjedhjes së gazit, shkaktuar nga një defekt në kaldajën e banesës së tyre.

Një person i pestë, vëllai i kryefamiljarit, mbeti i lënduar pasi humbi ndjenjat nga monoksidi i karbonit dhe u transportua urgjent në spitalin e Cisanellos. Alarmin e dha pikërisht djali i familjes, duke njoftuar karabinierët, të cilët pas trokitjeve të shumta pa përgjigje u detyruan të thyejnë derën e banesës trekatëshe. Gjatë hyrjes, ekipet e shpëtimit gjetën tryezën të shtruar dhe gati për darkë, duke treguar se tragjedia kishte ndodhur papritmas dhe pa paralajmërim. Në vendngjarje mbërriti edhe kryebashkiaku i Porcarit, Leonardo Fornaciari, i cili shprehu tronditje dhe dhimbje të thellë për humbjen e rëndë që ka prekur mbarë komunitetin e këtij qyteti të vogël, vetëm pak kilometra larg Luçës./ZËRI

Poll

MOS HUMB