Aktualitet

Ka aksion apo jo? Pas 2 ditësh "shfryhen" kontrollet, Tatimet: Tregtarët ambulantë s'kanë detyrim për të lëshuar faturë!

Administrata Tatimore lajmëron se tregtarët ambulantë nuk kanë asnjë detyrim për të lëshuar faturë dhe për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat.

k.m.
Ka aksion apo jo? Pas 2 ditësh "shfryhen" kontrollet, Tatimet:
Pamje nga aksioni

TIRANË- Një situatë e paqartë është krijuar në terren për kuponin tatimor. Sot, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka dalë me një njoftim për mediat dhe qytetarët. Në ditën e dytë pas nisjes së aksionit kombëtar për të sekuestruar produktet bujqësore e blegtarale që shiten pa faturë, Administrata Tatimore lajmëron se tregtarët ambulantë nuk kanë asnjë detyrim për të lëshuar faturë dhe për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat.

“Administrata Tatimore informon opinionin publik dhe individët e regjistruar si “tregtarë ambulantë” se, bazuar në legjislacionin tatimor në fuqi, nuk kanë detyrim për të lëshuar faturë tatimore dhe as për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat apo shërbimet që tregtojnë. Ky përjashtim parashikohet në ligjin nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, konkretisht në nenin 5, pika 1, gërma c). Gjithashtu, ligji nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 5, pika 1, gërma j), përcakton qartë statusin dhe kushtet e ushtrimit të aktivitetit të tregtarëve ambulantë,”-bëhet me dije nga Tatimet.

Por këtu situata bëhet e paqartë, pasi në të gjitha pamjet e aksioneve të shpërndara në terren, janë inspektorët e Tatimeve ata që kanë kontrolluar subjektet për të kuptuar nëse lëshonin apo jo kuponin tatimor. Madje në Sarandë u bënë virale pamjet e një peshkatari dhe një shitësje në tregun e fruta-perimeve, të cilëve inspektori u kërkonte vendprodhimin e peshkut dhe të rigonit që shisnin. Kjo situatë, në vend që të jepte frymën se shteti ishte në këmbë dhe po kontrollonte shkelësit e ligjit, shkaktoi më shumë hilaritet.

Po ashtu, në terren kanë zbarkuar edhe ministri i Financave, Petrit Malaj dhe ajo e Bujqësisë, Anila Denaj. Por edhe këta të fundit, përkundër asaj që thanë Tatimet sot, vazhdojnë dhe kërkojnë që të lëshohet kupon tatimor. 

"Faturim i detyrueshëm për produktet ushqimore dhe bujqësore. Ka hyrë në fuqi detyrimi për lëshimin e faturës tatimore për çdo shitje të produkteve ushqimore, përfshirë ato bujqësore dhe blegtorale, edhe nga fermerët. Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Administrata Tatimore përmes këtij aksioni të përbashkët synojnë të rrisin transparencën, të forcojnë sigurinë ushqimore dhe të ulin informalitetin në sektor. Çdo transaksion duhet të raportohet përmes sistemit të faturimit elektronik (E-fatura)."

Ka aksion apo jo? Pas 2 ditësh "shfryhen" kontrollet, Tatimet:Ka aksion apo jo? Pas 2 ditësh "shfryhen" kontrollet, Tatimet:

"STOP qumështit, mishit dhe prodhimeve të bulmetit pa faturë. Nga java e ardhshme çdo prodhim i tillë do të sekuestrohet, sepse përbën një kërcënim direkt të shëndetit sidomos me temperaturat e larta dhe subjektet tregtuese do të gjobiten skajshëm. Siguria ushqimore dhe formalizimi i të gjithë zinxhirit tregtar nga ferma në tryezë është një domosdoshmëri, e cila nuk pret më për një vend që synon të ulet në tryezën e Bashkimit Europian deri në fund të kësaj dekade. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj dhe Ministri i Financave Petrit Malaj në takime ndërgjegjësuese me biznesin, për të garantuar mbrojtjen e konsumatorit dhe gjurmimin e plotë të dokumentacionit fiskal, të produkteve blegtorale por jo vetëm."

Ndryshe nga të gjithë, kundër rrymës, është deputeti Erion Braçe. Edhe ky i fundit e ka ndjekur aksionin, por me një sy kritik. Për një rast, të cilin e ka publikuar edhe në rrjetet e tij sociale, Braçe vuri në dukje faktin se inspektorët futeshin në terrene që duhet të ishin sterile, pa mjetet e nevojshme. 

Ka aksion apo jo? Pas 2 ditësh "shfryhen" kontrollet, Tatimet:

"Brenda në aksion për sigurinë e ushqimit. A ka mundësi që zyrtarët e shtetit të mos hyjnë në baxhon e bulmetit dhe frigoriferet e bulmetit e të mishit siç vijnë nga rruga. Pra, pa qese në këpucë e në kokë, pa përparëse e pa doreza? Se është aksion për sigurinë e ushqimeve, jo për të kapur malin si prodhues i rigonit."

Teksa situata në terren është e paqartë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) ka dalë me një njoftim zyrtar por sërish nuk ka sqaruar asgjë. Sipas MBZHR, kontrollet në terren nuk janë kundër fermerëve, por janë një hap i domosdoshëm për formalizimin, forcimin dhe mbështetjen e sektorit bujqësor.

“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën me dije se kontrollet për sigurinë ushqimore dhe pajisjen me faturë tatimore nuk janë aksion kundër fermerëve, por një hap për ta formalizuar, forcuar dhe mbështetur sektorin bujqësor. MBZHR në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Administratën Tatimore, sqaron se ka për qëllim formalizimin e sektorit dhe garantimin e sigurisë ushqimore për të gjithë qytetarët. Fermerët nuk janë fajtorë. Ata janë bashkëpunëtorë të rëndësishëm në ndërtimin e një ekonomie të ndershme dhe të sigurtë. Qëllimi ynë nuk është të vendosim gjoba, por të krijojmë një sistem ku çdo hallkë e zinxhirit të prodhimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore të jetë e pastër, e kontrollueshme dhe në shërbim të qytetarit. Pse është i rëndësishëm bashkepunimi në këtë nismë? • Gjurmueshmëria e produkteve – të dimë ku është prodhuar, si është përpunuar dhe kush e ka tregtuar një produkt. • Siguria ushqimore – për të pasur më shumë besim në atë që vendosim në tryezë. • Transparencë dhe mbështetje – fermerët që janë të regjistruar dhe të formalizuar kanë akses më të lehtë në subvencione, kredi, programe zhvillimi dhe mundësi për të eksportuar. Ftojmë të gjithë aktorët e zinxhirit agroushqimor të bashkëpunojnë për të ndërtuar një sektor të qëndrueshëm, të kontrollueshëm dhe të sigurtë për konsumatorin shqiptar dhe për eksportet shqiptare, që tashmë janë prezente në mbi 80 tregje elitare ndërkombëtare,"-njofton Ministria.

Por sërish është e paqartë, shitësit, duhet të kenë faturë apo jo. 

Aksioni nisi pak ditë më parë me urdhër të kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh se qëllimi është garantimi i sigurisë ushqimore. Ishte vetë Rama që bëri me dije se aksioni në terren do të niste për konfiskimin e qumështit dhe bulmetrave pa faturë. Kreu i qeverisë tha se siguria ushqimore është pika më e dobët që kemi në negociatat për anëtarësim./ZËRI

Poll

MOS HUMB