TIRANË-Disa qytetarë të Tiranës kanë rënë pre e një skeme mashtrimi lidhur me çështjet e pronësisë. Në krye të skemës qëndronte Suzana Doda, 58 vjeç e cila në bashkëpunim me Sara Ndojën, 27 vjeç kanë arritur të përvetësojnë nëpërmjet mashtrimit mbi 100 mijë euro. 58-vjeçarja u premtonte qytetarëve se do të ndërhynte në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës për t'u zgjidhur çështjet e pronësisë. Më pas pajiste qytetarët me dokumente false.
Lidhur me rastin autoritetet kanë arrestuar 58-vjeçaren, ndërsa një hetim në gjendje të lirë ka nisur për bashkëpunëtoren e saj 27 vjeç. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar një shumë eurosh e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale, disa certifikata të dyshuara të falsifikuara dhe 2 celularë.
Njoftimi i policisë:
Dyshohet se kanë përvetësuar mbi 100 000 euro, duke mashtruar qytetarë, se do të ndërhynin në AShK, për t’iu zgjidhur rastet pronësore, dhe duke i pajisur me dokumente false, vihet në pranga 58-vjeçarja dhe në hetim bashkëpunëtorja e saj.
Sekuestrohen një shumë eurosh e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale, disa certifikata të dyshuara të falsifikuara dhe 2 celularë.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të gazetarëve të emisionit investigativ “STOP”, se ishin kontaktuar nga shtetas të ndryshëm të pajisur me dokumente false nga një shtetase, e cila i kishte mashtruar se mund t'iu zgjidhte çeshtjet pronësore, pasi kishte të njohur në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në kuadër të operacionit të koduar “Premtimi”, ndaluan dhe vunë në pranga të dyshuarën, shtetasen S. D., 58 vjeçe.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëpunëtoren e dyshuar të 58-vjeçares, shtetasen S. N., 27 vjeçe.
Këto shtetase dyshohet se nëpërmjet veprimtarive kriminale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, kanë përfituar mbi 100 000 euro, nga qytetarë të ndryshëm.
Në drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimi për të zbardhur dhe dokumentuar raste të tjera të kësaj veprimtarie kriminale, të kryera nga shtetasja S. D. dhe bashkëpunëtorja e saj.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.
Policia e Tiranës falënderon gazetarët e emisionit investigativ “STOP”, për bashkëpunimin, dhe i siguron se qytetarët dhe mediat, se do të marrin për çdo rast të paraqitur, shërbim policor të menjëhershëm, profesional dhe të mbështetur në ligj.