MIRDITË-Personi që shikoni në foto është 65-vjeçari Viktor Bardhi i ekzekutuar mëngjesin e 3 shtatorit në fshatin Ndërfushaz, Mirditë. Bardhi u gjet i vrarë me armë zjarri në mjetin e tij tip 'Benz'.
Autorët i zunë pritë teksa 65-vjeçari ishte nisur për në punë. Makina 'Mercedes Benz' e Bardhit u bë shoshë nga plumbat dhe u gjet e përplasur me një bordurë. Ndërkohë mjeti i autorëve u gjet i djegur afro 10 km larg vendngjarjes. Pas ngjarjes autorët u larguan me një automjet, të cilin e dogjën.
Hetimet për zbardhjen e atentatit vijojnë por zona ku u krye vrasja është pa kamera sigurie dhe deri tani ka qenë e pa mundur të zbardhen rrethanat dhe autorët. Lidhur me vrasjen e Viktor Bardhi janë shoqëruar në Polici dhe marrë në pyetje nga grupi hetimor rreth 10 persona, mes tyre edhe anëtarë të fisit Reçi, pasi po hetohet pista e hakmarrjes. Ngjarja dyshohet se ka si motiv përplasje me fisin Reçi, ku saga e hakmarrjes ndër vite ka shkaktuar disa viktima./ZËRI
