Aktualitet

Kërcënohen me jetën e familjarëve dy prokurorë të SPAK! Detajet: Garda çoi qen anti-eksploziv...

Gazetarja nuk ka dhënë emra por ka treguar se prokurori në fjalë vazhdimisht ka thirrur gardën e republikës me qen që nuhasin lëndët plasëse.

F.I
Kërcënohen me jetën e familjarëve dy prokurorë të
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Të paktën dy kërcënime serioze janë bërë ndaj dy prokurorëve të SPAK-ut, ngjarje që ka alarmuar jo vetëm autoritetet e rendit në vend por edhe ato partnere ndërkombëtare. Kërcënimi i parë është bërë ndaj fëmijës së një prokurori. Dyshohet se se fëmija i prokurorit ishte fotografuar nga persona. Kjo ka detyruar edhe heqjen e fëmijës së prokurorit nga viti shkollor.

"Dumani në fjalën e tij e përmendi që ‘ne jemi rrezikuar jo vetë, por edhe familjet tona’. Ka raste që nuk janë bërë publike. Di t’ju them për një rast që janë sot të angazhuar forca ligjzbatuese vende evropiane për të mbajtur dhe ruajtur fëmijët e prokurorëve te PSAK, jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë vendit. Pse? Sepse janë kërcënuar haptazi. Më së shumë kanë fëmijët me shkolla jashtë. Rasti konkret i një fëmije që studion jashtë, është fotografuar, përndjekur dhe fotot i janë dërguar nënës,"-tha profesori i kriminalistikës Ervin Karamuço në 'Top Story'

Një kërcënim tjetër është zbuluar nga gazetarja Anila Hoxha, e cila tha se një familjare e një prokurori shumë të rëndësishëm kishte marrë kërcënime serioze. Gazetarja nuk ka dhënë emra por ka treguar se prokurori në fjalë vazhdimisht ka thirrur gardën e republikës me qen që nuhasin lëndët plasëse.

“Rasti më i rëndë që nuk është publik dhe nuk do jap detaje është kërcënimi i një familjareje të një prokurori shumë të rëndësishëm. Pavarësisht kontrolleve të rrepta, mua më ka bërë përshtypje, ata vazhdimisht thërrasin gardën e republikës me qen që nuhasin lëndët plasëse. Letrat kontrollohen çdo ditë nga njësia e Gardës. Shumë të dhëna mbahen tepër sekret”, deklaroi gazetarja Hoxha.

Vetë kreu i SPAK, Altin Dumani gjatë fjalës së tij në ceremoninë e organizuar për 5-vjetorin e SPAK pohoi se prokurorët e posaçëm gjatë punës së tyre janë përballur me kërcënime, si ndaj tyre, ashtu edhe familjarëve.

"Jemi përballur me përpjekje për të minuar punën tonë, me fyerje, shpifje kërcënime ndaj nesh apo familjarëve tanë, por përballë tyre jemi mbledhur bashkë si një trupë e vetme kolegësh, kemi kuptuar e rëndësishme është pavarësia e institucionit ku ushtrojmë detyrën dhe sa e vyer është integriteti gjithsecilit nga ne, nëse dikush mendon ndryshe, gaboheni,'-deklaroi Dumani. 

/ZËRI

Poll

MOS HUMB