Aktualitet

Konflikti në Aeroportin e Vlorës/ Pacolli- Ramës: Pas 28 majit, shihemi në arbitrazh! Ademi: Je agjent i përdorur

Kompania vlerëson se vlera ekonomike e vënë në rrezik është në rreth 250–300 milionë euro.

F.I
Konflikti në Aeroportin e Vlorës/ Pacolli- Ramës: Pas 28 majit,
Valon Ademi dhe Behgjet Pacolli

TIRANË-Teksa prej 5-ditësh vijojnë tensionet në kantierin e Aeroportit të Vlorës, replikat mes dy kompanive “Mabco” të Behgjet Pacollit dhe asaj "2A Group", nën drejtimin e Valon Ademit kanë vijuar në rrjete sociale. 

Kompania zvicieriane, MABCO Constructions SA me një njoftim zyrtar, ka paralajmëruar shtetin shqiptar se do t’i drejtohet arbitrazhit ndërkombëtar për situatën e krijuar në aeroportin e Vlorës, nëse deri më 28 maj 2026 nuk ndërmerret një ndërhyrje institucionale për situatën e krijuar, ku kompania pretendon se është përjashtuar faktikisht nga kantieri dhe nga kontrolli operacional i investimit të saj.

Kompania në letrën drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Avokaturës së Shtetit, Zyrës së Kryeministrit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, pretendon se administrimi i kontestuar i VIA-s, i mbështetur nga veprime dhe mosveprime të institucioneve shtetërore, po tenton të marrë kontrollin faktik të projektit në momentin kur aeroporti ndodhet pranë hyrjes në fazën operacionale. Sipas MABCO-s, kjo po ndodh ndonëse nuk ekziston asnjë transferim kuotash i regjistruar në QKB apo i miratuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për kalimin e kontrollit nga MABCO te 2A Group, aksioneri me 2% të kuotave. Kompania vlerëson se vlera ekonomike e vënë në rrezik është rreth 250–300 milionë euro.

"Në aspektin ekonomik, MABCO deklaron se projekti është mbështetur nga mbi 90 milionë euro kapital, 6 milionë euro interesa të paguara mbi financimin, 10 milionë euro kontribute direkte të MABCO-s, 152 milionë euro ekspozim kolaterali dhe një garanci financiare me kërkesë të parë prej 72 milionë eurosh. Kompania vlerëson se vlera ekonomike e vënë në rrezik është në rendin 250–300 milionë euro. Përmes letrës, MABCO i kërkon shtetit shqiptar që deri më 28 maj 2026 të garantojë akses të menjëhershëm dhe të mbrojtur në kantier për MABCO-n dhe stafin e saj, të ndalojë përdorimin e policisë për përjashtimin e investitorit kryesor, të sigurojë lirinë e lëvizjes dhe kushtet bazike për punonjësit dhe specialistët, të ruajë provat, të zhbllokojë pajisjet kritike në dogana, të mos njohë efektet e njoftimeve të kontestuara të datave 14 dhe 21 maj 2026, si dhe të organizojë një takim urgjent institucional me MIE, NjZP, Autoritetin e Aviacionit Civil, Albcontrol, Inxhinierin e Pavarur dhe BKT,"-thuhet në letër.

Nga ana tjetër në një reagim të gjatë Valon Ademi, pronar i kompanisë “2A Group”, i është përgjigjur akuzave të Behgjet Pacollit në lidhje me aeroportin në jug të Shqipërisë. Ademi ka akuzuar Behgjet Pacollin për hutim të opinionit publik në lidhje me Aeroportin dhe i ka bërë thirrje Pacollit që të sqarojë lidhje me kompani ruse. Pronari i kompanisë "2A", ka ngritur akuza se Pacolli është agjent i përdorur për të marrë nën kontroll Aeroportin e Vlorës. 

“Siç ta kam bërë të qartë: me ty, emisar, unë nuk kam asnjë problem sepse ti nuk je as aktor dhe as faktor në këtë mes; je thjesht një agjent i përdorur për të marrë nën kontroll Aeroportin e Vlorës. Lufta ime është me kolegun tënd, Bart Turtelboom, i cili është ekzekutori i skemës financiare dhe juridike për t’ua dorëzuar këtë aset kombëtar shefave tuaj, atje ku i keni”,-thuhet ndër të tjera në postimin e Valon Ademit.

NJOFTMI PER SHTYP NGA KOMPANIA MABCO: 

MABCO i kërkon shtetit shqiptar ndërhyrje urgjente për Aeroportin e Vlorës: afati i fundit 28 maj 2026, përpara arbitrazhit ndërkombëtar

MABCO Constructions SA i ka dërguar një letër zyrtare Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Avokaturës së Shtetit, Zyrës së Kryeministrit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, duke njoftuar se situata në projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ka kaluar nga paralajmërimet e përsëritura në përjashtim faktik të MABCO-s nga kantieri dhe nga kontrolli real i investimit të saj.

Në letër, MABCO thekson se vepron si zotëruese e 98% të kuotave të Vlora International Airport – VIA sh.p.k., si investitori kryesor, financuesi dhe garantuesi i projektit, dhe jo si kontraktor i zakonshëm. Kompania pretendon se 2A Group, ortak me 2% të kuotave, po tenton të marrë kontrollin faktik të projektit përmes një administrimi të kontestuar të VIA-s, të regjistruar në QKB, megjithëse sipas MABCO-s nuk ekziston asnjë transferim kuotash i paraqitur për regjistrim në QKB apo i miratuar nga MIE.

MABCO referon se më 14 maj 2026 administrimi i kontestuar i VIA-s lëshoi një njoftim për ndërprerjen e marrëdhënieve të ndërtimit, të cilin MABCO e refuzoi më 16 maj 2026. Më 17 maj u komunikua kufizimi i aksesit në kantier, ndërsa më 18 maj përfaqësuesve, inxhinierëve, specialistëve, punonjësve dhe nënkontraktorëve të MABCO-s iu ndalua fizikisht hyrja në kantier. Më 21 maj, sipas kompanisë, u lëshua një tjetër njoftim që synon ta paraqesë përjashtimin e MABCO-s si “refuzim për bashkëpunim” dhe të krijojë bazë për inventarizim ose marrje të njëanshme të punimeve, pajisjeve, dokumentacionit dhe materialeve teknike të MABCO-s.

Sipas MABCO-s, ky përjashtim nuk mbështetet në asnjë vendim gjyqësor të formës së prerë, në asnjë vendim të ligjshëm të Autoritetit Kontraktues dhe në asnjë akt të vlefshëm që do të justifikonte largimin e investitorit kryesor nga një projekt strategjik. Kompania pretendon gjithashtu se Policia e Shtetit është përdorur për zbatimin praktik të një vendimi privat të kontestuar, duke krijuar një situatë faktike në favor të 2A Group.

Në letër ngrihen edhe shqetësime për sigurinë dhe lirinë e lëvizjes së specialistëve ndërkombëtarë në zonën e akomodimit të kantierit, përfshirë specialistë kinezë, si dhe për bllokimin për më shumë se shtatë muaj të pajisjeve kritike për certifikimin, përfshirë automjete zjarrfikëse dhe pajisje X-Ray. MABCO kërkon që, përpara çdo hapi drejt certifikimit të aeroportit, të kryhet një auditim teknik i pavarur ndërkombëtar i pistës dhe sistemeve të fushës ajrore, përfshirë AGL, ALS, PAPI dhe sistemet përkatëse të sigurisë aeroportuale. MABCO njofton se, që prej shtatorit 2025, ka dërguar mbi 50 letra dhe njoftime formale institucioneve shqiptare, pa marrë përgjigje substanciale. Sipas kompanisë, veprimet dhe mosveprimet e institucioneve përbëjnë shkelje të Marrëveshjes së Koncesionit, përfshirë nenet 11.5, 11.9, 13 dhe 18, si dhe të Traktatit Dypalësh të Investimeve Zvicër–Shqipëri.

Në aspektin ekonomik, MABCO deklaron se projekti është mbështetur nga mbi 90 milionë euro kapital, 6 milionë euro interesa të paguara mbi financimin, 10 milionë euro kontribute direkte të MABCO-s, 152 milionë euro ekspozim kolaterali dhe një garanci financiare me kërkesë të parë prej 72 milionë eurosh. Kompania vlerëson se vlera ekonomike e vënë në rrezik është në rendin 250–300 milionë euro.

Përmes letrës, MABCO i kërkon shtetit shqiptar që deri më 28 maj 2026 të garantojë akses të menjëhershëm dhe të mbrojtur në kantier për MABCO-n dhe stafin e saj, të ndalojë përdorimin e policisë për përjashtimin e investitorit kryesor, të sigurojë lirinë e lëvizjes dhe kushtet bazike për punonjësit dhe specialistët, të ruajë provat, të zhbllokojë pajisjet kritike në dogana, të mos njohë efektet e njoftimeve të kontestuara të datave 14 dhe 21 maj 2026, si dhe të organizojë një takim urgjent institucional me MIE, NjZP, Autoritetin e Aviacionit Civil, Albcontrol, Inxhinierin e Pavarur dhe BKT.

Në mungesë të përmbushjes së këtyre kërkesave deri më 28 maj 2026, MABCO paralajmëron nisjen e arbitrazhit ndërkombëtar kundër Republikës së Shqipërisë sipas Traktatit Dypalësh të Investimeve Zvicër–Shqipëri dhe ndjekjen e të gjitha mjeteve juridike të parashikuara në Marrëveshjen e Koncesionit dhe në ligj.

POSTIMI i Valon Ademi, pronar i kompanisë “2A Group”:

Emisar,
Unë e njoh shumë mirë strategjinë tënde, pasi e kuptoj qartë që "ujku do mjegull". Për këtë taktikë, ti je i shkolluar dhe i trajnuar prej kohësh nga shefat e tu, ndaj dhe strategjinë e mjegullës di ta zbatosh me mjeshtëri. Megjithatë, nëse kjo qasje mund të funksionojë për të hutuar opinionin publik, me mua të ka dështuar.

Siç ta kam bërë të qartë: me ty, emisar, unë nuk kam asnjë problem sepse ti nuk je as aktor dhe as faktor në këtë mes; je thjesht një agjent i përdorur për të marrë nën kontroll Aeroportin e Vlorës. Lufta ime është me kolegun tënd, Bart Turtelboom, i cili është ekzekutori i skemës financiare dhe juridike për t'ua dorëzuar këtë aset kombëtar shefave tuaj, atje ku i keni. Ti detyrën tënde po e zbaton me përpikëri, sipas udhëzimeve. Ndaj, ti nuk ke faj që unë e refuzova ofertën tënde prej 80 milionë eurosh në shkurt të vitit 2025, për t'ia shitur aeroportin atyre që ti i di mirë. Madje, kur unë e refuzova atë ofertë pikërisht për shkak të asaj që ata përfaqësojnë, ti më the tekstualisht: "Mos u shqetëso, sepse pronar formal do të vazhdoj të figuroj Mabco."

Refuzimi im i prerë atë natë është zanafilla e kësaj situate të cilën po e përballoj edhe sot. "Gabimi" im i vetëm ishte refuzimi për ta shitur Aeroportin e Vlorës atje ku ti kishe marrë urdhër ta dorëzoje. Deri më sot, shumë detaje i kam mbajtur larg vëmendjes publike, duke pritur që organet kompetente të bëjnë detyrën e tyre, në mos atë ligjore, të paktën atë patriotike. E kam bërë betejën time në heshtje, në respekt të institucioneve. Por, edhe pse ata që duhej të reagonin heshtën, unë nuk do të ndalem, kurrë. Emisar, tregoj shefave të tu, se unë nuk shitem, nuk intimidohem, nuk frikësohem dhe nuk dorëzohem kurrë përballë tyre! Tregoju se paraja e tyre, për mua s’ka asnjë vlerë. Ata mund të blejnë gazetarë, media e portale, por Aeroportin e Vlorës nuk do ta blejnë kurrë.

As ti dhe as propaganda jote me mercenarë e zagarë nuk më intimidon, sepse, në të gjithë këtë proces të Aeroportit të Vlorës, i vetmi njeri i shitur, i blerë dhe i komprometuar je ti. Dil e tregoju shqiptarëve se kush fshihet pas "Compartment Bernina". Dil e tregoju me sa rubla u pagove. Dil e tregoju se te gjitha veprimet po i bën vetëm për interes të Compartment Bernina-s, interesa këto që bien ndesh me interesin publik, atëherë mund të marrësh guximin të përmendësh emrin tim.
Ti emisar, edhe mashtrimet i bën për të mbuluar atë se çfarë në të vërtetë je, sepse ti nuk je emisar për një mision, por ti je agjent me mision të përjetshëm, sepse ti shpirtin edhe dinjitetin e ke shitur me kohë, e tash vepron me urdhra nga atje ku je shitur! Turp të qoftë emri Behgjet e mbiemri Pacolli!

Përplasjet në kantier filluan pasi punëtorët e kompanisë "2A", nën drejtimin e Valon Ademit, kanë bllokuar hyrjen e punëtorëve të kompanisë së Behgjet Pacolli. Aeroportin e Vlorës, akualisht e administron kompania “2A Group” e biznesmenit Valon Ademi, e cila fitoi këtë të drejtë në gjykatë pas përfshirjes në një konflikt gjyqësor me Mabco Constructions të Pacollit. Konflikti ligjor mes aksionarëve të koncensionit, 2A Group dhe MABCO Construction, nisi vitin e kaluar si pasojë e mosmarrëveshjeve mes dy palëve për kuotat e aksioneve. 

Poll

MOS HUMB