Aktualitet

Kërkoi vendin e Asim Vokshit, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Naureda Llagamit

Llagami pretendon se ka siguruar në total 9 vota, përfshirë një votë që Gjykata e Lartë e ka konsideruar të pavlefshme, duke u bazuar në dy shenja të supozuara si tentativë ndikimi në rezultat.

zh.ll
Kërkoi vendin e Asim Vokshit, Gjykata Kushtetuese rrëzon
asim vokshi dhe naureda llagami

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Naureda Llagamit për anulimin e procedurës së përzgjedhjes së Asim Vokshit, si anëtar në Gjykatën Kushtetuese. 

Llagami pretendon se ka siguruar në total 9 vota, përfshirë një votë që Gjykata e Lartë e ka konsideruar të pavlefshme, duke u bazuar në dy shenja të supozuara si tentativë ndikimi në rezultat. Sipas rregullave, Llagamit për t’u shpallur fituese i duheshin 3/5 e votave, dhe për shkak të pavlefshmërisë së votës, Asim Vokshi u shpall automatikisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese, pasi ishte i pari në renditjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Llagami kërkon që kjo votë të njihet si e vlefshme dhe rezultati të ndryshohet në favor të saj. Ndërkohë, kërkesa për pezullimin e menjëhershëm të rezultatit të votimit është rrëzuar.

Në dhjetor të vitit të kaluar, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, shpalli hapjen e procedurës së aplikimit për zgjedhjen me mandat të plotë të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese për vendin e Holta Zaçajt. Shpallja e procedurës shkaktoi polemika mes Zaçajt dhe kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Ky i fundit këmbënguli se mandati i Zaçajt përfundonte në pranverë të vitit 2025 dhe hapi procedurat për përzgjedhjen e pasardhësit të saj duke shpallur vendin vakant.

Nga ana tjetër, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese pretendoi se mandati përfundonte në fund të vitit 2025 dhe e akuzoi Gjykatën e Lartë për cënimin e sigurisë juridike të mandateve të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Megjithëse Gjykata Kushtetuese e gjeti me shkelje njoftimin e kryer nga Gjykata e Lartë, e la në fuqi shpalljen e vakancës. Shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese vendosën mbarimin e mandatit të Zaçajt më 10 mars 2025./ZËRI 

Poll

MOS HUMB