
DURRËS- Një 34-vjeçar është arrestruar në portin e Durrësit pasi tentoi të kalojë në kufi 88 mijë euro të padeklaruara. 34-vjeçari, Elton Balliu, i cili ishte dhe shoferi i kamionit kishte fshehur në trup dhe çantë shumën e parave. Policia tha se gjatë operacionit, kanë sekuestruar 18 shishe verë, pa faturë, dhe paratë që ishin ndarë në 4 pako. Informacioni për shumën e parave që po vinte në Shqipëri u dha nga "Guardia di Financa" në Bari. Kamioni ishte nisur nga Napoli dhe kishte arritur në Bari për të ardhur më pas me tragetin Rigel III në Durrës. Në ambientet e portit iu bë edhe kontrolli duke gjetur sasinë e parave. Hetimet vazhdojnë për të zbuluar se nga kush ishin marrë këto para dhe cili do të ishte "pritësi" i tyre.
Hetimet tani po ndiqen nga Prokuroria e Durrësit.
“Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje të Shqipërisë, me qëllim garantimin e qarkullimit të ligjshëm dhe të sigurtë të shtetasve dhe mallrave, Seksioni i Hetimit dhe ZMPKT Durrës, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, finalizuan operacionin policor të koduar “Pakot”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi E. B., 34 vjeç, banues në Tiranë.
Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, është kaluar në vijë të dytë, për kontroll më të detajuar, me metoda bashkëkohore, kamioni që drejtonte 34-vjeçari. Nga kontrollet, këtij shtetasi i janë gjetur të fshehura në trup dhe në çantë, me qëllim mosdeklarimin, 88 000 euro (të ndara në 4 pako të mbështjella me natriban) që kanë burim të dyshimtë, ndërsa në kamion janë gjetur 18 shishe me verë që dyshohet se janë të kontrabanduara, sepse nuk ishin të shoqëruara me faturë blerjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për hetime të mëtejshme, për veprat penale "Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës””, njofton policia. /ZËRI