
KORÇË- Melisa Trëndafili, e cila u dogj me benzinë nga bashkëshorti i saj Bledar Trëndafili në Korçë, ka rrëfyer se ai i ka shkuar në spital i maskuar si prift për ta takuar gjatë kohës që ajo ishte e shtruar. Edhe pse Bledari i shkaktoi djegie në 35% të trupit, ai përsëri e ka kërcënuar. Në emisionin “Me zemër të hapur”, ajo ka shtuar se ai e telefononte, duke i kërcënuar edhe familjen me jetë. 31-vjeçarja ka folur edhe për borxhet e shumta që ish-bashkëshorti ka pasur, gjithashtu edhe për problemet me drogën.
Melisa Trëndafili: Kam qenë 100 herë në spital me tha, por kam qenë i maskuar si prift dhe maskime të ndryshme. Por tha që kishte polic dhe nuk hyra ne dhomë. Në telefonatën e fundit më shau me fjalë banale, më tha: ti me gjithë familjen do e shikoni se çfarë do t’ju bëj. Kishim 10 vite të martuar. Kur ishte mirë, ishte i sjellshëm, i dashur dhe me fëmijët, por problemi ishte konsumimi i drogës.
E kam mësuar që në fillim, por më kërkonte falje dhe e linte. E fillonim nga zero. Na ndihmonte familja e tij, të hapnim biznes, nuk kishim lidhje me Eltonin.
Kam respekt për ata. Jemi ndarë në muajin nëntor të vitit të kaluar. Kam qenë e ngarkuar mendoja mbase ndryshon dhe e fal prap. Po mendoja për fëmijët, mbase ndryshon. Kur e pashë që nuk po ndryshonte, prap s’doja të bëja veprim të nxituar.
Ai kishte marrë shumë borxhe për konsumimin e drogës, më kishin marrë karriget e lokalit tim, më iku truri nuk po e besoja. I thashë nuk mundem më të të fal, sepse ti nuk po ndryshon. Aty vendosa që nuk bashkohem më me të.
-
-
-
Dogji gruan me benzinë, Bledar Trëndafili qan në gjyq
5 Tetor, 18:55
Ngjarja ndodhi më 31 gusht, kur Bledar Trëndafili, 45 vjeç, leu bashkëshorten e tij me benzinë. Dyshja jetonin të ndarë, edhe pse nuk kishin nisur një proces divorci. Ditën e ngjarjes, Bledari u paraqit në banesën ku jetonte 31-vjeçarja Melisa Trëndafili dhe, pas një debati me të, e ka lyer me benzinë dhe më pas i ka vënë flakën.
Ai u arratis menjëherë nga vendngjarja dhe policia e shpalli në kërkim. Ndërkohë, 31-vjeçarja fillimisht u dërgua në spitalin e Korçës me djegie të shumta në trup, dhe më pas u transferua drejt Tiranës, ku qëndroi e shtruar për disa javë.
I riu ka shpërthyer në lot në seancën e sotme gjyqësore, ku edhe ka pranuar aktin e rëndë ndaj të shoqes. Edhe pse u shfaq i penduar, ai shtoi se të shoqen e kishte lënduar pasi ishte në gjendje të rëndë psikologjike, sepse e reja e kishte tradhëtuar. Po ashtu, pretendoi se ajo nuk e linte të takohej me fëmijët. Në fund, ia la në dorë drejtësisë fatin e tij./ ZËRI