TIRANË-Gjykata e Posaçme ka vendosur masën arrest me burg për policin e Antiterrorit, Igli Haxhiaj, i cili u përfshi në hetimet e SPAK mbi klanet e mafias shqiptare që trafikonin drogë nga Amerika Latine dhe Shqipëria drejt Italisë. Haxhiaj u vendos në pranga një ditë më parë, pasi hetimet zbuluan se gjatë shërbimit në Forcat Operacionale, kishte nxjerrë sekretet hetimore dhe ishte korruptuar nga anëtarë të grupit kriminal, duke u vënë në shërbim të tyre.
Në momentin e ekzekutimit të urdhrit, Haxhiaj ndodhej në ambientet e Akademisë së Policisë, ku ishte i angazhuar në një kurs tre-mujor specializimi për Antiterrorin. Oficeri akuzohet për nxjerrje të sekretit hetimor, korrupsion dhe shpërdorim detyre. Oficeri para trupit gjykues është shprehur se nuk ka lidhje me trafikimin e drogës, ndërsa pretendon se emri i tij është përdorur.
“Më kanë përdorur emrin, nuk kam pasur Sky Ecc. Nuk kam komunikuar asnjëherë në aplikacionin Sky”, ka deklaruar Igli Haxhiaj.
Mes masave të sigurisë figuron sërish emri i Elvis Doçit i njohur si 'Visi i Pojës', i cili tashmë kërkohet edhe nga Italia. 'Poja' është ende në kërkim nga SPAK për Operacionin Ura të zhvilluar në muajin maj të këtij viti në bashkëpunim me autoritetet italiane.
Operacioni “Ura” u finalizua një Maj dhe kishte në fokus tre grupe të krimit të organizuar, me aktivitet të gjerë në trafikimin ndërkombëtar të drogës, kokainë e heroinë, pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Nga përgjimet dhe monitorimet, përfshirë bisedat e koduara SkyECC, u dokumentuan transaksione CASH deri në 5 milionë. Paratë e trafikut depërtonin në ekonomi, përmes kompanive, pronave të paluajtshme, mediave lokale, transportit dhe bareve. Pjesë e organizatës ishin 3 nëngrupe kriminale, baza e njërit në Durrës dhe 2 të tjerët në Itali, në Puglia. Doçi dyshohet se është koka e grupit që ka organizuar të gjithë skemën dhe garantonte trafikun e drogës.
Aksioni i përbashkër SPAK-Breshia u zhvillua një ditë më parë, ku masa arrest në burg është caktuar për Vincenzo Bruno, Arlin Buzali, Donald Cala, Gazmend Ferhati, Elton Gjegja, Adriatik Hasa, Erion Kapidani, Oltion Lala, Asti Llupi, Denis Myftiu, Altin Shehaj, Gazmend Shehu, Bledin Doci, Elvis Doci, Juljan Hyka, Eduart Leba, Gentian Shaba, Ogert ShqevI, Denis Tafili, Indrit Tafili dhe Klodian Vata. Ndërsa masa arrëst në shtëpi është lëshuar nga gjykata italiane për Giuseppe Iorio, Erald Salla dhe Enkeleid Tirjaku.
Droga, e importuar nga Amerika e Jugut dhe e transportuar nëpërmjet rrugëve tregtare në portet e Evropës Veriore, u transportua në Itali e fshehur brenda automjeteve të rënda. Autoritetet kanë sekuestruar 550 mijë euro, 10 automjete, një pistoletë dhe 130 kilogramë lëndë narkotike, kokainë dhe heroinë, që në treg do të kishin vlerë rreth 12 milionë euro.