TIRANË-Dita e Shpalljes së Pavarësisë, 28 nëntori shënon edhe ditën e lindjes së komandanti legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Jashari lindi më 28 nëntor 1955 në Prekaz të Skenderajt, si djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit. Kreu shkollën e mesme teknike në Skenderaj, ndërsa shumë shpejt u bë pjesë e strukturave të para të organizimit ushtarak shqiptar në Kosovë.
Ai është një nga arkitektët kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Adem Jashari ishte kryekomandanti i UÇK-së. Së bashku me të vëllanë e tij Hamzën, Ademi ka marrë pjesë në sulmet kundër forcave policore-ushtarake serbe. Forcat policore-ushtarake jugosllave e sulmuan shtëpinë e tyre në mars të vitit 1998, ku ai ra heroikisht së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij.
Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak merr një dimension të ri, nga LPK-ja, e cila ende nuk vepronte krejtësisht publikisht. Me 3 nëntor të vitit 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për të kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur.
Më 30 dhjetor 1991 ekspedita policore – ushtarake serbe ndërmori aksion për zënien e grupit. Pas kësaj përleshjeje me forcat e policisë serbe, tërë grupi i Adem Jasharit kalon në ilegalitet, deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë.
Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së fillon me sulmin e shtatorit 1997 në 12 stacionet policore. Nga aksionet e armatosura kundër forcave policore që kryente UÇK-ja, pas shtimit të dhunës sistematike të forcave serbe nëpër Kosovë, kalohet në një fazë tjetër, të ndeshjes së drejtpërdrejtë me forcat serbe, pra në beteja, në fundin e nëntorit 1997, kur në Rezallë të Re luftohet me forcat e shumta të policisë serbe.
Në këtë betejë printe Adem Jashari dhe luftëtarë të tjerë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti etj. Kjo është beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së. Kjo betejë bëri jehonë të madhe në opinionin publik.
Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin. Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike. Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit.
Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjatë tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.