
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratik, Asllan Dogjani tha në Komisionin e Sigurisë se ushtria shqiptare është në një gjendje problematike. Ai pyeti ministrin e Brendshëm Pirro Vengu nëse Forcat e Armatosura shqiptare janë në gjendje t’i përgjigjen një agresioni nga vendet jo mike. Gjithashtu ai vendosi dhe theksin tek gjendja problematike e emergjencave civile dhe reagimet e tyre në momentin e katastrofave natyrore.
“Nëse nesër e zëmë se plas lufta me Serbinë, a ka Ministria e Mbrojtjes armatimin e nevojshëm për t’u përgjigjur. Ju thatë se në buxhetin e ri do parashikohet blerja e tyre. Sa do blihen, çfarë do blihen, a janë të nevojshme ato që do merren dhe a mjaftojnë? A kemi ndonjë avion luftarak ne në Shqipëri? A ka ndonjë mundësi për konflikt rajonal në Kosovë me Serbinë dhe si mund t’i përgjigjemi këtyre kërcënimeve. Se këto çështjet e traktatit të Varshavës i merr vesh më mirë Nasipi që nga koha e komunizmit, na i shpjegon ai. Me ato që po ndodhin e shohim si në Spanjë me përmbytjet, duam të dimë nëse i kemi mjetet e nevojshme për të përballuar një situatë të tillë. A duhet rritur më shumë ky buxhet për të blerë pajisjet e duhura. Ose çështja e sulmeve kibernetike nga vendet jo mike apo kërcënimet që mund të na vijnë nga Serbia dhe Rusia”, tha Dogjani.
Por kryetari i Komisionit Nasip Naço tha se ai është duke folur me dy standarte të ndryshme, pasi jemi një vend anëtar i NATO-s.
“Flisni për një vend të NATO-s, por pretendimet i keni si të një vendi të Traktatit të Varshavës, flet për 1 mijë avionë e të tjera. Ministri sapo e tha dhe shifrat u përmendën, nga 43 mld, buxheti i Mbrojtjes ka shkuar mbi 45 mld, pra ka rritje. Buxheti për ushtrinë 2,1 përqind sipas standardeve”, iu përgjigj Naço.
Ndërsa ministri Vengu tha se Shqipëria është vend i NATO-s dhe ka operon me vendet partnere. Po ashtu ai tha se vendi ynë investon edhe në sigurinë kibernetike për të parandaluar sulme nga shtetet jo mike.
“Ne po investojmë edhe në industrinë e aviacionit, për të investuar jo vetëm te helikopterët, por edhe të avionët. Blerja e mjeteve ajrore është prioritet, sikurse edhe ajo e stërvitjes dhe plotësimit me personel, jo vetëm përgatitje e pilotëve të helikopterëve, por edhe të avionëve. Qëllimi është blerja e avionëve që i shërbejnë nevojave për stërvitje, por edhe emergjencave civile që mund të dalin apo dhe nevojave të tjera të vendit dhe ushtrisë”, tha Vengu. /ZËRI