Aktualitet

Konfliktet dhe atentatet 'që ndoqën' familjen Jaçaj! E shkuara e errët e 'Bushit', 3 muaj më parë shënjestër ishte i biri

Në qershor të vitit 2010, Jacaj mbeti i plagosur pas një konflikti me sende të forta në lagjen nr. 4, ndërsa në tetor 2011 i shpëtoi një atentati me armë zjarri, po në Sarandë.

F.I
Konfliktet dhe atentatet 'që ndoqën' familjen Jaçaj!
Isuf Jaçaj

SARANDË-Isuf Jaçaj, 58-vjeçari i njohur me nofkën 'Bushi' u vra në atentatin me tritol të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Sarandë, ku një sasi eksplozivi shpërtheu në makinën e tij. Por ky nuk ishte tritoli i parë që kishte shënjestër familjen Jaçaj. 

Vetëm tre muaj më parë në të njëjtën lagje, në të njëjtin vend, djalit të viktimës, Klaus Jaçaj iu hodh në erë automjeti. Ngjarja dhe sot ende mbetet e pazbardhur, ndërsa 31-vjeçari aktualisht ndodhet në burg, i akuzuar për plagosjen e 17 korrikut në Sarandë, ku u qëlluan me armë zjarri Gëzim Hajdarajn dhe Ernest Lame. Dy të rinjtë nga Kamza, u plagosën me armë zjarri nga Ramadan Zoto allias Canaj, 43 vjeç, pas një konflikti për një tokë në bregdet. I biri i viktimës, Klaus Jaçaj akuzohet për përkrahje të autorëve të krimit, pasi ka ndihmuar dy autorët.

Mbrëmjen e së shtunës (4 tetor) një shpërthim me lëndë plasëse do t'i merrte jetën babait të 31-vjeçarit, Isuf Jaçajt. Një mjet u hodh në erë më tritol, ndërsa 58-vjeçari Isuf Jaçaj që ishte brenda në makinë humbi jetën menjëherë pas shpërthimit. Viktima kishte një të shkuar problematike.

I njohur si 'Bushi', 58-vjeçari njihej si person me precedentë penale që para viteve 2000. Në qershor të vitit 2010, Jacaj mbeti i plagosur pas një konflikti me sende të forta në lagjen nr. 4, ndërsa në tetor 2011 i shpëtoi një atentati me armë zjarri, po në Sarandë.

Gjithashtu në korrik të vitit 2022, u përfshi në një tjetër përplasje, ku u arrestua me një përforcues grushti, ndërkohë që një tjetër person u kap me armë zjarri. Ndërsa në vitet e fundit “Bushi” merrej me sektorin e turizmit, duke transportuar turistë me skafin e tij në zonat bregdetare përreth Sarandës.

Vrasja e 'Bushit' dyshohet të jetë për motivet e hakmarrjes, ndërsa një grup hetimor po punon për të identifikuar dhe kapur autorët. Po ashtu do të sekuestrohen edhe kamerat e sigurisë në zonë, të cilat mund të çojnë në zbardhjen e dinamikës së ngjarjes./ZËRI

Poll

MOS HUMB