Aktualitet

Kristian Shkreli nën akuzë për korrupsion në zgjedhje, SPAK kërkon 27 dëshmitarë! Avokatja: Në 500 faqe s'del të ketë kryer vepër penale

Burime bëjnë me dije se SPAK ka kërkuar që të thirren 27 dëshmitarë në gjyq. 

zh.ll
Kristian Shkreli nën akuzë për korrupsion në zgjedhje, SPAK
kristian shkreli

TIRANË- Këtë të enjte është zhvilluar gjyqi ndaj kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i cili akuzohet për korrupsion zgjedhor. Burime bëjnë me dije se SPAK ka kërkuar që të thirren 27 dëshmitarë në gjyq. 

Prokurori i SPAK, Dritan Prençi, relatoi se nga hetimet përmes përgjimeve të bisedave telefonike dhe vëzhgimeve, ka rezultuar se Shkreli është përfshirë në veprimtari të jashtëligjshme gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Sipas prokurorit, provat e mbledhura provojnë se Shkreli ka kryer veprën penale të korrupsionit në zgjedhje. 

Prokurori Dritan Prençi: "Janë përdorur edhe metoda speciale, përgjime e vëzhgime. Kristian Shkreli i premtoi investime banorëve të fshatit Stajkë për linjën e energjisë elektrike dhe në këmbim kërkoi votën për Partinë Socialdemokrate."

Ndërkohë, mbrojtja e kryebashkiakut ka hedhur poshtë akuzat. Avokatja e Shkrelit, Rovena Gashi pretendon se nga të gjitha vëzhgimet apo përgjimet nuk del në asnjë moment veprime për të cilat prokuroria ka ngritur akuzë. Sipas avokates, Shkreli është telefonuar nga banorët e fshatit Stajkë, të cilët i kanë kërkuar ndihmë për energjinë elektrike, duke theksuar se nuk i ka telefonuar kryebashkiaku ata. 

Avokatja e Kristian Shkrelit, Rovena Gashi: "Nuk jemi dakord me akuzën. Në të gjitha veprimet, komunikimet e përgjimet, janë 500 faqe dhe s’ka asnjë moment që del që i pandehuri Kristian Shkreli të ketë bërë ndonjë vepër penale. Kryetari i bashkisë është telefonuar nga vetë banorët e fshatit Stajkë, nuk i ka marrë Kristian Shkreli ata. Bëhet fjalë për reshje të shumta shiu që kishin dëmtuar linjën. Ankesa ka shkuar nga vetë banorët te portali i bashkëqeverisjes. Më pas, procedurën për remont të shtyllave nuk e ka hapur kryebashkiaku, por OSHEE-ja. Ç’punë ka kryebashkiaku me këtë shërbim? Dhe nuk është investim, por remont, rregullim. Kryebashkiaku për atë punë është aty, të dëgjojë ankesat e qytetarëve dhe t’u qajë hallet, i zgjedhur për këtë punë. Kristiani ia ka përcjellë shqetësimin e fshatarëve drejtorit të OSHEE-së. Për ne nuk ka asnjë akuzë. Ai nuk i ka thënë askujt “votoni për X subjekt politik” në të gjitha telefonatat."

Hetimet e SPAK kanë nisur më 20 mars, mbi një muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Në muajin maj të vitit 2025, në prag të zgjedhjeve të 11 majit, Shkrelit ju sekuestrua telefoni celular ndërsa iu ushtrua edhe kontroll. Shkreli është i dyshuar për veprën penale të korrupsionit zgjedhor, pasi dyshohet se bleu vota për PSD-në e Tom Doshit. Së bashku me Shkrelin te dyshuar janë edhe 3 persona të tjerë, që dyshohet se janë përfshirë në veprimtarinë kriminale të shitblerjes së votës në qarkun e Shkodrës.

Kryebashkiaku socialist ishte në shënjestër të kritikave të Kryeministrit Rama. Para sekuestrimit të celularit, gjatë një takimi elektoral të zhvilluar në Shkodër, ZËRI kapi momentin kur kryeministri Edi Rama ka ‘kritikuar’ nën zë kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Kristian Shkreli. Në momentin që kishte hequr mikrofonin nga dora dhe po largohej, Rama u ndal pak sekonda përballë Shkrelit dhe i tha: "Kristian mos më luaj me dy porta Kristian! Mos më luaj me dy porta!"ZËRI

Poll

MOS HUMB