Aktualitet

Zbulohet në Tiranë magazina 'Limited Charm' me mbi 10 mijë çajra, kapsula e kremra bimorë të skaduara

Të gjitha suplementet ishin edhe në ofertë sipas faqes, duke u shitur me vlerën 4800 lekë.

F.I
Zbulohet në Tiranë magazina 'Limited Charm' me mbi 10
pamje nga magazina

TIRANË-Mbi 10 mijë suplemente ushqimore dhe bimore janë sekuestruar në Tiranë. Produketet e zbuluara në magazinën e firmës 'Limited Charm' në kryeqytet, ishin të skaduara, pa pullën e Agjencisë Kombëtare të Barnave, pa pullën fiskale të Ministrisë së Financave dhe pa etiketa në gjuhën shqipe.

Në kuadër të çështjes është shpallur në kërkim administratori i subjektit, një shtetas 53-vjeçar nga Bosnja dhe Hercegovina. Ndërkohë një hetimm ka nisur për dy punonjës të kompanisë, J.G., 30 vjeç dhe M.Ç., 26 vjeç, të cilët ndodheshin në ambientet e magazinës në momentin e kontrollit.

Sipas faqes së internetit të firmës 'Limited Charm' këto produkte të skaduara dhe të kontrabanduara përfshijnë çajra, kapsula e kremra bimorë. Të gjitha suplementet ishin edhe në ofertë sipas faqes, duke u shitur me vlerën 4800 lekë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Prokuroria, operacioni i koduar “Audienca”.

Zbulohet se në një magazinë në Tiranë, mbaheshin për llogari të një subjekti me aktivitet ndërkombëtar në fushën e reklamimit dixhital, suplemente të skaduara dhe të kontrabanduara.

Sekuestrohen mbi 10 000 suplemente ushqimore dhe bimore.

Shpallet në kërkim administratori i subjektit (shtetas nga Bosnja dhe Hercegovina), si dhe procedohen penalisht 2 punonjës.

Pas një hetimi me metoda proaktive, kryer në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për të dokumentuar paligjshmëritë që kryheshin në magazinën në kryeqytet, të një subjekti me aktivitet ndërkombëtar në fushën e reklamimit dixhital, u finalizua operacioni i koduar “Audienca”.

Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e subjektit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare gjetën dhe sekuestruan aty, mbi 10 000 suplemente ushqimore dhe bimore të skaduara, pa pullën e Agjencisë së Barnave dhe pa atë të Ministrisë se Financave, si dhe pa etiketa në gjuhën shqipe.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim administratori i subjektit, shtetasi nga Bosnja dhe Hercegovina, J. T., 53 vjeç, si dhe u proceduan penalisht punonjësit që ishin në ambientet e subjektit, shtetasit J. G., 30 vjeç dhe M. Ç., 26 vjeç.

Punohet për kapjen e 53-vjeçarit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.

Poll

MOS HUMB