
MEMALIAJ- Ngjarja e fundit, ajo e 21 prillit ku mbeti i vrarë Endri Goxhaj, shihet nga grupi hetimor si pjesë e këtij zinxhiri përplasjesh që vijon të prodhojë dhunë.
Deri më tani, në pranga janë vendosur Dali Nela, 25 vjeç, i plagosur gjatë përplasjes, si dhe Aldo Kalemi dhe Ermal Mataj, ndërsa në kërkim janë shpallur vëllezërit Donaldo dhe Marjoldo Nela.
Burime për ZËRI-n bëjnë me dije se personat e përfshirë në konflikt kanë lidhje familjare me njëri-tjetrin. Dali Nela i cili mbeti i plagosur gjatë konfliktit është dhëndër në fisin Kalemi. Mbi të dhe vjehrrin e tij, Aldo Kalemi rëndon akuza e “vrasjes me dashje”, kryer në bashkëpunim. Gimi Qendro me Aldo Kalemin dhe Juli Kalemin janë kushërinj të parë.
Donaldo Nela rezulton të jetë personi i fundit që ka pasur kontakt me Eraldo Muçin, mik i Aleksandër Sadikaj, i njohur ndryshe me nofkën “Sanco”, i cili u ekzekutua më 11 Qershor 2022, me anë të shpërthimit të një sasie tritoli të vendosur poshtë makinës me të cilën lëvizte në afërsi të rrethrrotullimit të TEG-ut.
Hetimet vijojnë ndërsa mbetet për t’u parë nëse autoritet do të bien në gjurmët e Donaldo Nelës, i shpallur në kërkim për vrasjen e Endri Goxhajt./ZËRI