Aktualitet

Kulisat për zgjedhjen e kreut të ri, SPAK: S’kemi përgjuar asnjë anëtar të KLP-së, spekulime të tilla bëhen për të na dëmtuar

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se SPAK nuk kryen dhe nuk ka kryer asnjë veprim hetimor që synon drejtpërdrejtë apo tërthorazi, të ndikojë apo të intimidojë vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe aq më pak të ndërhyjë në procese të caktuara zgjedhore

E.K
Kulisat për zgjedhjen e kreut të ri, SPAK: S’kemi përgjuar
4 PROKURORET NE GARE PER KREUN E SPAK

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka reaguar në lidhje me spekulimet që sipas saj janë hedhur ditët e fundit, se SPAK ka nën hetim anëtar të KLP-së. Në një njoftim për mediat, SPAK thotë se nuk ka kryer asnjë veprim që synon të hetojë, vëzhgojë apo përgjojë anëtarët e KLP-së, dhe aq më tepër të ndikojë në vendimmarrjen apo proceset zgjedhore.

DEKLARATA E SPAK 

Në përgjigje të disa kërkesave tuaja, ju bëjmë me dije se:

1.Asnjë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është objekt hetimi, vëzhgimi apo përgjimi nga Prokuroria e Posaçme.

2.SPAK nuk kryen dhe nuk ka kryer asnjë veprim hetimor që synon drejtpërdrejtë apo tërthorazi, të ndikojë apo të intimidojë vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe aq më pak të ndërhyjë në procese të caktuara zgjedhore.

Deklarimet e bëra në media përbëjnë spekulim të pastër, të pambështetur në realitetin ligjor apo në praktikën hetimore të Prokurorisë së Posaçme.

Çdo deklaratë e pabazuar në fakte dhe e mbështetur në spekulime mbetet në kuadrin e retorikës së pakonfirmuar, në përpjekje për të keqinformuar publikun dhe për të dëmtuar Strukturën së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në datën 9 dhe 11 Tetor, anëtarët e KLP do të vendosen përballë zgjedhjeve të vështira, fillimisht për emrin e Joni Ketës në krye të BKH-së dhe më pas për të zgjedhur kreun e ri të SPAK, që do të zëvendësojë Altin Dumanin. Në garë për kreun e ri të SPAK janë katër prokurorë Adnan Xholi, Klodian Braho, Doroleza Musabelliu dhe Elvin Gogaj. Gjatë ditëve të fundit, një sërë ambasadorësh të huaj në vendin tonë kanë vizituar Këshillin e Lartë të Prokurorisë ku kanë kërkuar një proces të drejtë dhe transparent për përzgjedhjen e kreut të ri të SPAK. SHBA dhe BE kanë pasur takime të shumta në KLP, duke dhënë prej andej mesazhe të prera që politika duhet t’i mbajë duart larg nga përzgjedhja e kreut të ri të SPAK. Vetëm dy ditë më parë ishte ambasadori gjerman Bergner ai që zhvilloi një takim me Kryetaren e KLP-së, Mirela Bogdani dhe një sërë anëtarësh të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Ai nënvizoi rolin e rëndësishëm, që KLP luan në ruajtjen e pavarësisë, integritetit, cilësisë dhe efikasitetit të prokurorive në Shqipëri.

Ambasadori inkurajoi Këshillin të kryejë detyrat e tij në mënyrë aktive, me përgjegjësi dhe vetëdije.

Bergner theksoi rëndësinë e zgjedhjes së ardhshme të pasardhësit në detyrë të Altin Dumanit si kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK:

“Nën drejtimin e Altin Dumanit SPAK ka arritur suksese jashtëzakonisht të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit të të gjitha niveleve dhe krimit të organizuar. Është e rëndësishme që të vazhdojë të mbahet ky kurs. Ne kemi besim, se zgjedhja e ardhshme do të zhvillohet në mënyrë transparente dhe se çdo anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të orientohet në vendimin e tij vetëm prej përgatitjes profesionale të kandidatëve dhe integritetit të tyre të padiskutueshëm”, thuhej në mesazhin e ambasadorit gjerman./ZËRI 

Poll

MOS HUMB