TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka shtyrë sërish sot seancën paraprake për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë në dosjen e tij. Shkak për këtë është bërë kërkesa e Veliajt për t’u njohur me materialet voluminoze të dosjes së tij që përllogariten në 60 mijë faqe. Seanca e radhës është caktuar në datën 12 Tetor, ku Gjykata do të duhet të vendosë nëse dosja do të kalojë apo jo për gjykim.
Ndërkohë që gjatë seancës së sotme, ish-deputetja Klotilda Bushka, e cila është marrë e pandehur nën akuzën për pengim të drejtësisë, ka kërkuar pushimin e çështjes ndaj saj, me pretendimin se mungojnë elementët e veprës penale.
Nëse kjo kërkesë nuk do të aprovohet, ish-kryetarja e Komisionit të Ligjeve ka dhënë kërkesën për gjykim të shkurtuar.
Në seancën e kaluar, Veliaj kërkoi që të mos vendosej në kafazin e qelqtë në sallën e gjyqit, duke e konsideruar si një shkelje të të drejtave të njeriut dhe kushtetuese. Ndërkohë që nuk dihet ende nëse sot vetë Veliaj do të jetë apo jo i pranishëm në seancë.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgimim që prej muajit shkurt dhe akuzohet për veprat penale si pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Në një seancë të mëparshme avokatët e kryebashkiakut kërkuan që ai të ketë mundësi t’i lexojë në paraburgim të gjitha fashikujt e SPAK, ndërkohë që përveç Veliajt në dosje janë edhe 29 të pandehur të tjerë. Gjatë javës së kaluar avokatët e Veliajt dorëzuan kërkesë në Kushtetuese për shfuqizimin e masës ‘arrest me burg’ ndaj Veliajt, mbasi ata e konsiderojnë si antikushtetues, ndërkohë që më herët e njëjta gjykatë vendosi kundër shkarkimit të tij nga detyra si kryebashkiak.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse. Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim. /ZËRI



