Aktualitet

Kush do ta zëvendësojë Altin Dumanin? Nesër 'sytë' nga KLP, zbardhen detajet e seancës së votimit

Këshlli ka sqaruar në njoftimin për mediat se gazetarët do të akomodohen në sallën e mbledhjes, ndërsa kameramanët do të kenë mundësi të filmojnë vetëm pamjet hyrëse, përpara fillimit të seancës.

zh.ll
Kush do ta zëvendësojë Altin Dumanin? Nesër
foto ilustrim: Altin dumani-spak

TIRANË- Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) do të mblidhet nesër, 11 dhjetor, për të zgjedhur Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Mbledhja do të nisë në orën 09:00, ndërsa i gjithë procesi do të transmetohet drejtpërdrejt nga RTSH. Këshilli ka sqaruar në njoftimin për mediat se gazetarët do të akomodohen në sallën e mbledhjes, ndërsa kameramanët do të kenë mundësi të filmojnë vetëm pamjet hyrëse, përpara fillimit të seancës.

"Mirëmbrëma. Doja të sqaroja dhe një herë në lidhje me seancën e nesërme. Për të evituar çdo keqkuptim. Siç njoftuam më herët, linja direkte do të transmetohet nga RTSH. Kolegët kameramanë do të akomodohen në holl, ndërsa gazetarët në sallë. Ju faleminderit dhe ju mirëpresim nesër.", thuhet në njoftimin e KLP-së.

Nesër, 4 kandidatët e SPAK: Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho, do të intervistohen sipas rendit alfabetik, për 45 minuta secili prej tyre. Kandidatët do të prezantojnë platformën e tyre dhe pasi të dëgjohen dhe të pyeten, do të votohen.

KLP miratoi 4 kandidatën në mbledhjen e 20 tetorit, duke vlerësuar se i plotësojnë kushtet për të drejtuar SPAK. Emrat e tyre u kualifikuan për të vijuar më tej garën, që është ajo e intervistimit, e vendosur tashmë më datë 11 dhjetor. Po në këtë ditë pritet që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të zgjedhë me votim kreun e ri të SPAK, i cili do të marrë zyrtarisht detyrën më 19 dhjetor.

Mandati 3-vjeçar i Altin Dumanit në krye të SPAK përfundon në 18 dhjetor 2025, pasi këtë detyrë e mori më 16 dhjetor 2022. Pas lënies së këtij posti ai do të ushtrojë detyrën si prokuror i posaçëm i kësaj strukture deri në përfundimit të mandatit 9 vjeçar. Caktimi i kreut të ri të SPAK, ka vënë në lëvizje dy nga ambasadat kryesore në vend: SHBA dhe BE.

Sipas nenit 20 të rregullores së KLP-së, kandidati që merr më shumë vota zgjidhet kreu i SPAK-ut. Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, KLP kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash./ZËRI

Poll

MOS HUMB