Aktualitet

Laborator droge në Yzberisht! Banesa e mbushur me kokainë, kanabis çokollatë e armë-pranga pronarit

Në banesën e kthyer në laborator droge u sekuestruan rreth 17 kg kanabis çokollatë, një sasi kokaine, si dhe 22.5 litra vaj kanabisi me vlerë 500 mijë euro.

F.I
Laborator droge në Yzberisht! Banesa e mbushur me kokainë, kanabis
Shkëlqim Krrashi

TIRANË-Një banesë e përshtatur për përgatitjen e lëndëve narkotike është zbuluar në Yzberisht, Tiranë. Në banesën e kthyer në laborator droge u sekuestruan rreth 17 kg kanabis çokollatë, një sasi kokaine, si dhe 22.5 litra vaj kanabisi me vlerë 500 mijë euro.

Pronari i banesës, Shkëlqim Krrashi, 61-vjeç u arrestua në flagrancë, ndërsa iu gjet edhe një armë zjarri dhe një gjahu. Krrashi nuk rezulton me precedentë penalë, ndërsa mësohet se kanabisin dhe vajin e merrte në Maqedoninë e Veriut. Kokainën e shiste me doza, ndërsa kanabisin dhe vajin e shiste me shumicë.

Njoftimi i policisë:

Zbulohet në Yzberisht, një banesë e përshtatur për përgatitjen e lëndëve narkotike Kanabis dhe Kokainë, në trajta dhe forma të ndryshme, me qëllim shitjen.

Sekuestrohen nga banesa rreth 17 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Kanabis (çokollatë) dhe 22.5 litra vaj Kanabisi, të dyja me vlerë totale rreth 500 000 euro, një sasi Kokaine, 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 armë gjahu.

Arrestohet në flagrancë pronari i banesës.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, për disa muaj, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, finalizoi operacionin policor të koduar “Shape”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. K., 61 vjeç, banues në Yzberisht.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kryer kontroll në banesën e 61-vjeçarit, ku gjetën dhe sekuestruan rreth 17 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Kanabis (çokollatë), e ndarë në 69 paketime, 22.5 litra vaj Kanabisi (të dyja sasitë me rreth 500 000 euro), rreth 65 gramë lëndë të dyshuar narkotike Kokainë, 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 armë gjahu.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas siguronte sasi të mëdha të Kanabisit dhe Kokainës, i përgatiste në trajta dhe forma të ndryshme dhe i shiste në Yzberisht.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB