Aktualitet

Laboratori i drogës në Has! GJKKO dënon me 12 vite burg kreun e grupit të Shijakut, Astrit Avdylajn

Çështja për të cilën është dënuar Avdyalaj i referohet një laboratori heroine të zbuluar në Has në vitin 2018, ngjarje për të cilën janë dënuar me 125 vite burg 17 persona të tjerë. 

F.I
Laboratori i drogës në Has! GJKKO dënon me 12 vite burg kreun e
Astrit Avdylaj

TIRANË-GJKKO ka dënuar me 12 vite burg Astrit Avdylin, i njohur dhe me dy mbiemra të tjerë, Balliu dhe Sulejmani. Çështja për të cilën është dënuar Avdylaj i referohet një laboratori heroine të zbuluar në Has në vitin 2018, ngjarje për të cilën janë dënuar me 125 vite burg 17 persona të tjerë. Avdylaj akuzohet për veprat penale “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Operacioni u zhvillua në 22 tetor të 2018 ku u goditen 4 grupe kriminale. Laboratori i heroinës ishte ideuar nga Admir Hoxha dhe si bashkëpunëtor i tij ishte Astrit Avdyli e të tjerë anëtarë të bandës së tij. Ishte po grupi i Shijakut që merrej më pas me shpërndarjen në tre grupe të tjera, në Lezhë, Fier e Sarandë. Destinacioni i drogës edhe për këta grupe ishte tregu i brendshëm dhe vende si Anglia, Gjermania, Norvegjia, Holandë dhe Itali.

Grupi i Lezhës e trafikonte drogën nëpërmjet plazhit të Shëngjinit. Ai, sipas hetimeve të prokurorisë, bashkëpunonte me grupin e Barajve në Shkodër, të cilët kishin aktivitet në trafikun e drogës në Holandë dhe Belgjikë. Grupi i Fierit e transportonte drogën nga plazhi i Semanit. Ndërsa edhe grupi i Sarandës rezulton të ishte më aktiv, pasi trafikonte sasi të mëdha jashtë vendit. Gjatë aksionit u konfiskuan 182 kilogramë morfinë e ndarë në 175 pako si dhe 22 litra lëndë e lëngshme që përdorej për prodhimin e heroinës. 

Vendimi i GJKKO:

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani)”.

Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Rudina Palloj dhe Elsa Ulliri, me vendimin 13, datë 11.02.2026 vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, paragrafi parë, 28/4 dhe në lidhje me nenin 334, paragrafi parë të K.Penal dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi dytë, të K.Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.

3-Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 të K.Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

4-Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 të K.Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim. 4. Në bashkim të dënimeve, sipas nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli alias Sulejmani), përfundimisht me 12 (dymbëdhjetë) vite burgim.

Vuajtja e dënimit për të pandehurin Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), të fillojë nga dita e arrestimit të tij, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë. 6. Bazuar në nenin 190, pika 1, shkronja “a” të K.Pr.Penale, në lidhje edhe me nenin 36, pika 1, shkronja “a” të K.Penal, prova materiale e sekuestruar, arma pistoletë, me mbishkrimin WALTER-P.P.Q-Made in Germany, me numër ****, të kalojë në favor të shtetit”.

Astrit Avdylaj u arrestua të shtunën e 29 qershorit gjatë një operacioni që forcat speciale morën në vilën e tij në Shijak të Durrësit. Kreu i bandës së Shijakut ishte në kërkim me urdhër të SPAK, pasi akuzohet se ka organizuar atentate ndaj Durim Bamit me porosi të Ervis Martianjt dhe ish-deputetit Arben Ndoka.

Sipas bisedave të zbërthyera nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar 9SPAK), Avdylaj ka aktivizuar të besuarit e tij për të kryer këtë vrasje. Ai ndodhej pas hekurave bashkë me Emiljano Shullazin, kreun e bandës së Rrugës së Kavajës, në momentin që zhvillonte biseda me Ervis Martinajn, i cili rezulton i zhdukur pa gjurmë që prej 9 gushtit të vitit 2022. Mbi Avdylajn rëndon edhe një masë tjetër arresti me burg në lidhje me vrasjen e Edmir Bregut./ZËRI

Poll

MOS HUMB