TIRANË-Përfundon mandati pesëvjeçar i Aida Hajnajt në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë me 6 vota pro lirimit dhe 4 kundër.
Sipas shumicës së anëtarëve të KLP-së, Erjon Fejzulla, Arta Mandro, Zeqir Hoda, Ledina Rizaj Mirela Bogdani dhe Vat Staka mandati i Hajnajt ka përfunduar më 31 gusht 2025, çka ka sjellë vendimin për lirimin e saj nga detyra. Ndërkohë, katër anëtarë të tjerë, Erind Mërkuri, Sokol Stojani, Olger Eminaj dhe Erind Gërmenji kanë mbajtur qëndrim ndryshe, duke argumentuar se mandati i saj nuk ka përfunduar ende, por mbaron në një datë tjetër.
Mbledhja u zhvillua në prezencë të Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe përfaqësuesve nga Prokurori i Përgjithshëm, Ministria e Drejtësisë, Projekti Eu4Justice dhe Programi OPDAT. Drejtimin e institucionit do ta mbajë, Joni Keta, i cili aktualisht është dhe kandidat për drejtuesin e ri të BKH-së dhe përkohësisht zëvendësdrejtori.
Me përfundimin e mandatit 5-vjeçar të Hajnajt gara për kreun e ri të BKH është tashmë e hapur. Sipas rregullores, ndiqen 6 hapa për emërimin e kreut të BKH-së, të cilat janë: verifikimi i aplikimit, vizita mjekësore dhe testi për aftësitë fizike, ese me shkrim dhe test për arsyetim logjik, testi i poligrafit dhe intervista në panel, verifikimi i figurës dhe pasurisë, identifikimi i kandidatit fitues, trajnimi dhe emërimi.
Tek pika e fundit parashikohet edhe përzgjedhja e katër kandidatëve më potencialë, që i dërgohen drejtuesit të SPAK. Në garë janë: Andi Pogaçe; Artur Beu; Elton Kërluku; Gentian Ndoi; Gentjan Shehaj; Gledis Nano dhe Joni Keta. Komisioni i përzgjedhjes në SPAK përbëhet nga kreu i institucionit, Altin Dumani, si dhe prokurorët Arben Kraja dhe Behar Dibra. Mandati i drejtuesit të Byrosë është 5 vjet.
Mandati i Aida Hajnajt
Aida Hajnaj mori zyrtarisht detyrën më 1 shtator 2020 dhe mandati i përfundon në muajin gusht. Pas 8 muajsh verifikime, SPAK zgjodhi Aida Hajnajn në krye të BKH-së, e cilësuar ndryshe si FBI-ja shqiptare. Asokohe, Hajnaj mbante postin e zv.drejtores së Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Hajnaj mori detyrën pas përzgjedhjes në një proces që nisi me 40 kandidatë dhe në fund mbetën 4 finalistë. Bashkë me të garuan edhe Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj. Kandidatëve iu bë "vettingu", një test me shkrim dhe fizik, e po ashtu edhe testi i së vërtetës (poligrafi)./ZËRI