PEQIN- Një detaj prekës ka dalë në dritë pas aksidentit tragjik që ndodhi në hyrje të qytetit të Peqinit, ku humbën jetën dy 24-vjeçarët, Gabriel Lluca dhe Denis Korbi. Si të mos mjaftonte ngjarja e rëndë, historia e mbijetesës së Gabriel Llucës,ka prekur zemrat.
Në moshën vetëm 8-vjeçare, Gabrieli i kishte mbijetuar një aksidenti të rëndë pranë shkollës “Demir Godelli” në Peqin, aty ku ndodhet edhe banesa e familjes Lluca. Një automjet i kishte kaluar trupit të vogëlushit, duke i shkaktuar plagë të rënda dhe fraktura të shumta, por mrekullisht ai ia doli të jetojë. Ndërsa këtë herë, fati që dikur i dha një shans të dytë për jetën, këtë herë nuk e kurseu. Ai humbi jetën mesnatës e së dielës në një aksident tragjik, po në të njëjtin qytet ku dikur i kishte shpëtuar vdekjes.
Gabrieli ishte një nga katër fëmijët e familjes Lluca, e cila 3 vite më parë, përjetoi edhe një tjetër humbje të rëndë, ndarjen nga jeta të babait të tij.
Aksidenti tragjik u regjistrua mëngjesin e së dielës, rreth orës 02:00. Automjeti tip “Volksëagen Golf”, me të cilën udhëtontë Gabrieli dhe shoku i tij 24-vjeçar Denis Korbi, ka dalë nga rruga në zonën e quajtur 'Ura e Teqes' dhe është përplasur me shkallët e një banese. Përplasja rezultoi fatale për dy të rinjtë, të cilët u dërguan me urgjencë në spital, por nuk mundën të mbijetonin.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe po bëhen verifikime për shpejtësinë e automjetit si dhe gjendjen e rrugës në momentin e ngjarjes./ZËRI
