Aktualitet

Llixhat e Bënjës 'thahen', turistët dhe banorët: Po dëmtohet natyra! Ç'po ndodh me investimin 162 milionë lekë?

Vizitorë vendas, të cilët e kanë frekuentuar Bënjën edhe në vite të tjera, shprehen të shqetësuar për ndryshimet e fundit dhe uljen e nivelit të ujërave termale.

zh.ll
Llixhat e Bënjës 'thahen', turistët dhe banorët:
benje-permet

PËRMET- Në Bënjë të Përmetit vihet re menjëherë një situatë shqetësuese në vaskat termale, ku niveli i ujit është ndjeshëm i ulët. Më problematike paraqitet gjendja te “Vaska e Lëkurës”, e cila aktualisht rezulton e boshatisur. Kjo vaskë, e zgjeruar në kuadër të projektit turistik në zonë, është shndërruar në shqetësim, pasi situata ka ngritur pikëpyetje nëse ndërhyrja i ka marrë në konsideratë prurjet sezonale të burimeve termale.

Vizitorë vendas, të cilët e kanë frekuentuar Bënjën edhe në vite të tjera, shprehen të shqetësuar për ndryshimet e fundit dhe uljen e nivelit të ujërave termale. Ky fenomen ka ngjallur pakënaqësi si te vizitorët vendas ashtu edhe te ata të huaj që frekuentojnë zonën çdo ditë dhe përballen me këtë situatë.

Nga ana tjetër, edhe turistët e huaj, përveçse vlerësojnë bukuritë natyrore të zonës, shprehin shqetësim për ndërtimet pa kriter dhe mungesën e pastërtisë në disa zona të frekuentuara.

Një çift turistësh të huaj, Andreas Lihvar dhe bashkëshortja e tij Maria Duhamel, shprehën shqetësimin për ndërtime të reja dhe mungesë kujdesi ndaj natyrës në zonë, duke theksuar se Shqipëria ka bukuri të jashtëzakonshme natyrore, por sipas tyre kërkon më shumë vëmendje për pastërtinë dhe mbrojtjen e mjedisit.

“Aktualisht ka shumë ndërtime të reja, ndaj nuk është aq bukur sa mund të ishte. Problemi kryesor, sipas meje, është se po dëmtohet disi natyra, sepse duket sikur nuk kujdesen shumë për atë që po bëjnë. Më vjen keq që po e them këtë! Nga ana tjeter, ura e vjetër është e bukur dhe ambienti përreth është i këndshëm. Dhe sigurisht gjithe Shqipëria është e bukur, thotë Andreas Lihvar, turist.

“Unë ndaj të njëjtin mendim me bashkëshortin tim. Shqipëria ka një natyrë të mrekullueshme, por duhet të kujdeseni më shumë për të. Kam vizituar shumë vende se ka shumë mbeturina dhe njerëzit nuk duket se tregojnë kujdes të mjaftueshëm”, shprehet Maria Duhamel turiste.

Banjat e Bënjës, të vendosura rreth 13 kilometra nga qyteti i Përmetit, janë një nga destinacionet më të njohura natyrore dhe kurative në Shqipëri. Megjithatë, investimi prej rreth 210 milionë lekësh nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në këtë zonë po vihet në diskutim për nga cilësia e punimeve të realizuara nga firma “Ergi” SHPK, e cila po zbaton projektin.

Ndërhyrjet në zonën e llixhave janë pjesë e projektit “Bënja – Destinacion Ndërkombëtar Turistik”, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Sipas dokumentacionit të tenderit, fondi limit ishte 209.7 milionë lekë, ndërsa kontrata iu dha kompanisë fituese “Ergi” SHPK për rreth 162.7 milionë lekë pa TVSH.

Poll

MOS HUMB