VLORË-Një lokal në Radhimë u përfshi nga zjarri mbrëmjen e djeshme (8 maj), ku ajo çfarë ka mbetur janë vetëm rrënojat dhe gjithçka është bërë shkrumb e hi. Pronarët dyshojnë se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme. Familjarët e biznesit deklarojnë se prej kohësh kanë pasur konflikte lidhur me pronat.
Dejsi Canaj u shpreh për TCH se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:40, kishte dëgjuar hapa pranë lokalit dhe vetëm një minutë e 30 sekonda më pas kishte shpërthyer zjarri.
Sipas saj, dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme forcohen edhe nga fakti se në 'beach bar' nuk kishte energji elektrike, pasi objektit i ishte stakuar energjia elektrike. Policia vijon hetimet, duke marrë në pyetje banorë dhe familjarë, si edhe duke analizuar pamjet filmike për të zbuluar autorin, i cili sipas pronarëve dyshohet se është larguar nga kodrat e fshatit Radhimë.