Aktualitet

Lufta "shkatërron" tregun e karburanteve në Shqipëri: Nafta "si raketë", arrin 202 lekë/litër në Tiranë

Tregu i karburanteve është më i godituri nga lufta dhe çdo ditë po reflekton pasojat 'në tabela', me çmime që nuk po njohin limite. 

zh.ll
Lufta "shkatërron" tregun e karburanteve në Shqipëri:
Foto ilustruese

TIRANË- Lufta në Lindjen e Mesme është futur në javën e tretë, por ndonëse tashmë kanë kaluar disa ditë dhe vëmendja largohet ndjeshëm, në fakt ndodh e kundërta, pasi pasojat që lë pas ndihen gjthnjë e më shumë. Tregu i karburanteve është më i godituri nga lufta dhe çdo ditë po reflekton pasojat 'në tabela', me çmime që nuk po njohin limite. 

Mjafton të hedhësh një sy dhe vëren se çmimi i naftës nuk është asnjë ditë i njëjtë. Në rënie? Jo. Por, në rritje. Madje, këtë martë çmimi i naftës me pakicë ka arritur vlerën më të lartë që prej nisjes së luftës në lindjen e Mesme. Në pikat e karburantit në kryeqytet po tregtohet deri në 202 lekë, nga 173-175 lekë para luftës; një rritje me gati 29 lekë për litër. 

Në fakt, pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës në tregun e pakicës ka ndryshuar disa herë. Rritja e çmimit të naftës në tregun vendas nuk është ndalur që prej datës 4 mars, si pasojë e luhatjeve të forta në tregjet ndërkombëtare pas përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Nga Shoqata e Hidrokarbureve sqarohet se nafta është një produkt që tregtohet në bursat e huaja, dhe çmimi i pakicës reflekton ndryshimet e tregjeve të huaja. Në bursat e huaja çmimi i naftës “brent crude” ka arritur 103 USD për fuçi. Para nisjes së konfliktit nafta në bursat e huaja tregtohej me çmim  65 USD për fuçi.

Ndërkohë, në vendin tonë, autoritetet kanë njoftuar ngritjen e një Task Force monitorimi për të ndjekur zhvillimet në treg pas rritjes së çmimeve të naftës. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se tregu i karburanteve do të jetë në monitorim 24 orë. Sipas saj, institucionet do të analizojnë të dhënat mbi çmimet e karburanteve që hyjnë në vend përmes administratës doganore dhe platformës ndërkombëtare të tregtimit të karburanteve. 

Megjithatë, ministrja shtoi se ende nuk ka nevojë për krijimin e një Bordi Transparence. Kjo do të ndodhte vetëm nëse shtrenjtimi do të arrijë shifrat e vitit 2022 kur nisi lufta në Ukrainë. 

Nga ana tjetër, ekspertët paralajmërojnë nevojën për masa emergjente për të shmangur pasiguri dhe spekulime në treg. Ekspertët gjykojnë se çmimet në treg, janë të ndikuara nga lufta por nuk paraqesin plotësisht realitetin, në kushtet kur tregu është i përqendruar. Sipas tyre, nuk është koha për monitorim por për veprim thonë ekspertët./ZËRI

Poll

MOS HUMB