
BERAT- Gjykata e Beratit ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest me burg" për tre të arrestuarit që hodhën në treg 21 ton mandarina të ndaluara për tregtim, të kthyera nga Kroacia. Me vendim të Gjykatës, do të vazhdojnë që të qëndrojnë në burg fermeri Elton Tafaj, ispektori i shtetit Elson Tahiraj dhe grumbulluesi Arben Dyli.
"Me kërkesën e prokurores Malvina Pëllumbi, Gjyqtari Ilirjan Hysa ka caktuar masën e sigurimit "Arrest në burg" për shtetasit, të cilët dyshohen se me anë të veprimeve të tyre kanë shpërndarë dhe kanë lejuar të shpërdahen produktin mandarinë me përmbajtje të lartë pesticidi mbi normë të lejuar, duke cënuar kësisoj shëndetin publik dhe sigurinë ushqimore,"- njoftoi sot Gjykata e Beratit.
Gjatë seancës, avokatët mbrojtës i cilësuan të arresuarit si "viktima" të konkurrencës, madje avokati i Arben Dylit hodhi dyshime mbi vërtetësinë e analizave të autoriteteve kroate. Në fjalën e tij para togave të zeza, Dyli gjithashtu shtoi se nuk kishte dijeni se duhej të njoftonte Autoritetin Kombëtar të Ushqimit.
"Njoftova fermerët, një nga Goriçani dhe një tjetër nga Saranda, për të marrë mallin e rikthyer. Nuk e dija që duhet njoftuar AKU për kthimin e mandarinës,"-tha Dyli.
Ndërsa fermeri i arrestuar Elton Tafaj vazhdon dhe pretendon se mandarinat i ka hedhur në landfillin e Dimalit.
"M’u thye zemra kur i hodha, sepse ishte djersa ime,"-tha Tafaj, ndërsa Prokuroria e Beratit bëri me dije se nga analizat që kishte kryer, në landfill nuk kishte gjetur mbetje ushqimore.
Pasi u dëgjuan argumentet e të dy palëve, mbrojtjes dhe të Prokurorisë, Gjykata vendosi masën e arrestit me burg për të tre të ndaluarit.
Prokuroria e Beratit lajmëroi dje se ka dyshime se në treg janë hedhur mbi 21.000 kg mandarina me pesticide, të cilat pasi u kthyen nga Kroacia nuk u asgjësuan por janë blerë nga fermerët e qarkut Berat dhe Sarandë. Skandali ka shqetësuar konsumatorët shqiptarë, por deri më tani nuk asnjë reagim nga institucionet e shtetit./ZËRI