
TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka pezulluar hetimet për masakrën e Don Boskos, ku në sulmin me armë zjarri në lokalin e Fation Muratit mbeti e vrarë banakierja Mimoza Paja. Mësohet se hetimet janë mbyllur pasi prokurorët nuk kanë gjetur prova për autorët e masakrës dhe ia kthyen dosjen policisë për hetime të mëtejshme. Për këtë ngjarje të rëndë Prokuroria e Tiranës mori të pandehur Nikollë Shernikun, i cili dyshohet se ka qenë në lidhje shoqërore me Ervis Martinaj.
Për të mbërritur tek emri i Nikoll Shërnikut policia dhe prokuroria nuk e kishin të lehtë. Fillimisht nga kontrollet në terren policia zbuloi se targat e përdorura në makinën e vrasësve ishin të regjistruara në emër të një personi nga Kosova. Pas bashkëpunimit me autoritetet kosovare u mor dëshmia e tij, ku tha se targat i kishte çmontuar në një servis në Gjermani pas çregjistrimit. Nga shkëmbimi i letër porosive me Gjermaninë rezultoi se kjo targë i ishte dorëzuar Nikoll Shernikut.
Sherrniku u dënua në shkallë të parë por Apeli e ka kthyer çështjen për rigjykim. Masakra ndodhi më 12 Mars në Don Bosko. Dy persona qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të lokalit të Fatjon Muratit duke lënë të vdekur banakieren Mimoza Paja, 58 vjeçe dhe pesë të tjerë të plagosur, mes tyre dhe një vajzë 10-vjeçare që u dëmtua nga xhamat e thyer. Të plagosurit e tjerë ishin Sahit Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku dhe Genc Shohalli. Murati vetë ndodhej jashtë Shqipërisë në momentin që u krye atentati. /ZËRI