TIRANË-Sueld Elezi i akuzuar për trafik droge është ekstraduar nga Italia në Shqipëri. Elezi, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit 'Ura', akuzohet se në vitin 2020, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar 2 kg Kokainë në Itali, ndërsa gjatë vitit 2021, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar 932 kg Kokainë në Itali.
Ndërkohë dy ekstradime të tjera janë zhvilluar nga Shqipëria drejt Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Bëhet fjalë për Altin Shehun, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje nga Mbretëria e Bashkuar. Gjykata e Kentit të Veriut ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg".
Rasti tjetër është ai i Roy Garin, shtetas me kombësi izraelite dhe me shtetësi kanadeze i cili u ekstradua drejt Gjermanisë. Izraeliti i shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrim, u arrestua në Tiranë në shkurt të vitit 2025.
Njoftimi:
U ekstradua nga Italia në Shqipëri, shtetasi Sueld Elezi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 30.04.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
Ky shtetas akuzohet se në vitin 2020, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar 2 kg Kokainë në Itali, ndërsa gjatë vitit 2021, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar 932 kg Kokainë në Itali.
U ekstraduan nga Shqipëria:
-në Gjermani, shtetasi Roy Garin, 43 vjeç, banues në Izrael, pasi autoritetet gjermane kanë lëshuar urdhër arresti për të, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Mashtrimi me shuma të mëdha”, për 33 raste;
-në Mbretërinë e Bashkuar, shtetasi Altin Shehu, 34 vjeç, sepse Gjykata e Kentit të Veriut, në Mbretërinë e Bashkuar, me vendimin e datës 15.01.2026, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”.