Aktualitet

'Jam Taulant Balla, më jep 100 mijë €"! 2 të rinj përpiqen të zhvasin Armand Dukën, arrestohen teksa shkuan të marrin lekët

Autorët i janë prezantuar në emër të kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla dhe i kanë kërkuar shumën prej 100 mijë euro në kriptovaluta.

F.I
'Jam Taulant Balla, më jep 100 mijë €"! 2 të rinj
Taulant Balla dhe Armand Duka

TIRANË-Edison Korra, 24 vjeç dhe Orest Balla, 23 vjeç, janë arrestuar në Tiranë pasi kanë tentuar të mashtrojnë kreun e FSHF, Armand Dukën për t’i marrë 100 mijë euro. Raportohet se dy të rinjtë me anë të profili fallco në rrjete sociale, kanë kontaktuar Dukën, ku i janë prezantuar në emër të kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla dhe i kanë kërkuar shumën prej 100 mijë euro në kriptovaluta. Kreu i FSHF e ka kuptuar se bëhej fjalë për një tentativë mashtrimi dhe ka njoftuar menjëherë policinë. Dy autorët janë arrestuar në flagrancë në momentin kur u paraqitën të merrnin paratë.

Rasti vjen një muaj pasi më gusht të këtij viti, një 70-vjeçar, administrator i një pike këmbimi valutor në Tiranë, ka rënë pre e një skeme mashtrimi të realizuar përmes inteligjencës artificiale, duke humbur 100 mijë euro. Edhe në këtë rast u shfrytëzua njohja e 70-vjeçarit me biznesmenin Bashkim Ulja. 

Pas ngjarjeve të fundit dyshohet se fshihet Florian Gjergji, emri i të cilit është lakuar në episode të ndryshme mashtrimi. ZËRI ka raportuar më herët rastet e shumta nën emrin e ish-Ministrit të Brendshëm Taulant Balla apo të kryebashkiakut Erion Veliaj. Prej fillimit të viti 2023 Florian Gjergji është një prej personave më të kërkuar sa i takon skemave të mashtrimit. Policia në disa raste ka zbardhur me prova, se si ai vendoste gjoba ndaj biznesmenëve duke u prezantuar herë si kryebashkiak i Vlorës dhe herë si Erion Veliaj i Tiranës. Gjergji përdor aplikacionet “Telegram” dhe “Signal”, ku u prezantohet biznesmenëve, kryesisht të fushës së ndërtimit, si kryebashkiakë, ministra, apo edhe drejtues të institucioneve shtetërore.

Njoftimi i policisë: 

Finalizohet operacioni i koduar “Seen”.

Goditet një tjetër tentativë për të përfituar shuma të mëdha parash, nëpërmjet mashtrimit në platforma komunikimi online.

Mashtruan një 64-vjeçar, nëpërmjet një profili të rremë me kredencialet e një të njohuri të tij, për t’i marrë 100 000 euro, arrestohen në flagrancë, kur po merrnin paratë, 2 shtetas.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një 64-vjeçari, mbi dyshime për mashtrim në platformë komunikimi online, finalizuan operacionin e koduar “Seen”, gjatë të cilit u kapën në flagrancë, kur po i merrnin 100 000 euro kallëzuesit, dhe u vunë në pranga shtetasit E. K., 24 vjeç dhe O. B., 23 vjeç.

Nga hetimet e kryera me metoda speciale, me qëllim zbardhjen e plotë të autorësisë dhe rrethanave të këtij rasti, dyshohet se këta shtetas kanë komunikuar me 64-vjeçarin, nëpërmjet një profili të rremë në një rrjet social.

Profili ishte aktivizuar me të dhënat e një të njohuri të 64-vjeçarit, me qëllim mashtrimin e tij.

Hetimet vijojnë me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB