TIRANË- Soni Pepa, i shumëkërkuari i Prokurorisë së Posaçme, është arrestuar në Republikën Domenikane, ndërsa detaje të reja janë zbuluar nga arrestimi i tij. Mësohet se 40-vjeçari kishte më shumë se një muaj që qëndronte në republikën Domenikane së bashku me familjen e tij. Pepa kishte hyrë më 31 korrik 2025 nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Punta Kanës, në lindje të vendit, i shoqëruar nga familja e tij, me pretendimin se vinte në vend për pushime.
Por si ranë autoritetet në gjurmët e tij? Soni Pepa kishte tentuar të largohej nga territori i Republikës Domenikane. Por, autoritetet verifikuan se ai ishte i kërkuar nga drejtësia e vendit të tij, dhe menjëherë u aktivizua një operacion për lokalizimin e tij. Ai u arrestua të mërkurën, më 3 shtator, në Distriktin Kombëtar, përmes Zyrës Qendrore Kombëtare (OCN) të Interpol Santo Domingo.
Gjatë momentit të ndalimit, autoritetet i kanë gjetur një pasaportë shqiptare, dokumente italiane, pesë telefona celularë të koduar dhe shuma të konsiderueshme parash në dorë. I njohur si 'Zhuu', 40-vjeçari akuzohet për një sasi prej 11 tonësh kokainë, nga të cilat 600 kilogramë u sekuestruan në Roterdam, Holandë, mes datave 7 dhe 8 nëntor 2020. Gjithashtu, ai dyshohet se ka financuar blerjen e 10 kilogramëve të tjerë në të njëjtin qytet.
40-vjeçari ishte pjesë e grupit të strukturuar kriminal ndërkombëtar Çopja, i cili operonte në disa shtete të Europës dhe Amerikës së Jugut, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Ngarkesa e drogës dyshohet se është nisur nga porti i Villetas në Paraguai, me destinacion përfundimtar portin e Antverpit në Belgjikë. Emri i tij është pjesë e dosjes voluminoze dhe qindra mijëra sms të zbërthyera nga aplikacioni SKY ECC.
Edison Pepa rezulton të jetë hetuar në gjendje të lirë edhe në vendin tonë, ku në 2021 u ndaluan nga Shqiponjat në qytetin e Lushnjes. Pepa asakohe drjetonte një mjet BMW, ku iu u gjetën 49.980 euro, të dyshuara se ishin përfituar nga aktivitet i paligjshëm. Aktualisht, i ndaluari ndodhet në Drejtorinë e Përgjithshme të Imigracionit të Republikës Dominikane dhe pritet të deportohet drejt Shqipërisë, në koordinim me zyrën e INTERPOL Santo Domingo./ZËRI