
BERAT- Dalin pamjet e momentit kur autorët vendosin lëndën plasëse në derën e një lokali në lagjen "Çlirim". Lënda plasëse ka shpërthyer në derën e lokalit në pronësi të Sali Fetiut babait të Asllan Fetiut, administratori i një prej bizneseve të Klodian Allajbeut të Spitalit Amerikan. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Siç edhe duket nga pamjet e siguruara nga ZËRI, tritoli është hedhur nga një mjet tip "BMW" që ka qenë në lëvizje. Mjeti afrohet pranë lokalit të Sali Fetiut rreth orës 03.58 dhe ndalon para derës për vetën disa sekonda, sa për të vendosur tritolin. Duket qartë që nga mjeti nuk zbret askush, por nga xhami i pasagjerit, hidhet lënda plasëse. Pasi ka kryer atë që duhet të bënte, mjeti ikën nga vendi i ngjarjes, dhe vetëm pak çaste më vonë, dëgjohet shpërthimi.
Për shkak se autorët nuk kanë dalë nga mjeti, është e vështirë që të identifikohen, por dyshohet se janë më shumë se 2 persona. Një detaj që mund t'i zbulojë janë targat e mjetit dhe itinerari që është kryer, por sërish mund të jenë të vjedhura dhe të vendosura vetëm për të humbur gjurmët. Që nga dita e shpërthimit dhe deri sot, Policia po heton disa pista, por ende nuk ka emra për këtë ngjarje.
Asllan Fetiu administrator i “AnaMark”, ndërkohë është ende në kërkim nga policia pasi në mars të këtij viti, 37-vjeçari qëlloi me thikë në bark një të moshuar në ambientet e një lokali në lagjen "Çelepias". Fetiu është futur në lokal me thikë në dorë dhe ka kërkuar një person me precedentë penalë, të quajtur Fatjon Azizolli, por i moshuari i ka thënë se ai nuk ndodhej aty dhe ka kërkuar ta nxjerrë jashtë. Në konfrontim e sipër, 37-vjeçari ka qëlluar me thikë 85-vjeçarin./ZËRI