
BRINDISI- Një tjetër "valë" emigrantësh po vjen nga Brindizi për në Gjirin e Lalëzit. Anija e Marinës "Spica" u nis rreth orës 9:00 të mëngjesit të sotëm nga Seno di Levante, me dhjetëra emigrantë në bord, me destinacion qendrën e ndërtuar nga qeveria italiane në Gjadër. Në bord ka njerëz të kombësive të ndryshme.
Transferimi është i dyti që pas atij të 11 prillit, kur anija "Libra", gjithashtu e Marinës Italiane, u drejtua drejt portit të Shëngjinit. Ndërkohë që ditet e fundit, Senati ka miratuar përfundimisht ligjin me dispozita urgjente për të luftuar imigracionin e parregullt, që përmbajnë dispozita që zgjerojnë grupin e njerëzve që mund të transferohen në Shqipëri.
Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet ndërsa në vendin tokë u kërkua edhe një aprovim i gjykatës kushtetuese. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatët nga territori shqiptar./ZËRI