
ITALI- Roja Bregdetare italiane ka urdhëruar ndalimin e një anije tregtare me flamur të Tuvalusë, një shtet i vogël ishullor në mes të Paqësorit, për mangësi serioze në siguri. Inspektimi u zhvillua në skelën Cocciani në portin e Olbias (Sardenjë), ku anija ishte ankoruar për të ngarkuar granit. Me një tonazh bruto prej 1,596 tonësh, anija kishte mbërritur nga Pozzallo dhe po shkonte drejt Durrësit në Shqipëri.
Sipas mediave italiane, gjatë inspektimit, të kryer nga inspektorët e Njësisë së Kontrollit Shtetëror Portual të Autoritetit Portual të Olbias, u vunë re “mangësi serioze në sistemin e sigurisë nga zjarri në rast emergjence”. Po ashtu, nga inspektorët u vu re edhe një trajnim i pamjaftueshëm i ekuipazhit mbi procedurat operative që duhen në rast zjarri në bord. Këto parregullsi çuan në ndalimin e menjëhershëm të anijes , e cila u konstatua se nuk përmbushte standardet minimale të sigurisë të kërkuara nga legjislacioni ndërkombëtar.
Anija do të mbetet e ankoruar në Olbia derisa të rivendosen kushtet e kërkuara të sigurisë./ZËRI